Disa e përshëndesin aktin e heqjes së barrikadave, e disa janë të mërzitur përse edhe kjo krizë përfundoi.

Presidenti serb, Boris Tadic, ka thënë se nuk e di nëse kjo do të ndikojë në statusin e kandidatit për Serbinë në Bashkimin Evropian, por duhej dalë nga rrethi i dhunës. Ai ka thënë se me marrëveshjen Serbia ka realizuar pjesët kryesore të ideve tësaj.

Përfaqësuesit e partive politike serbe kanë shprehur qëndrime të kundërta lidhur me heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.

Goran Bogdanovic, ministër për Kosovën ka thënë se, kjo është një shenjë e mirë dhe shihet përgjegjësia e serbëve atje. “Është mirë që ata dëgjuan porosinë tonë dhe në mënyrë të qetë i heqin ato”, ka thënë ministri.

Ministri i Mbrojtjes Dragan Shutanovac ka thënë se serbët kanë sjellë vendimin e vetëm të mundshëm në të mirë të stabilitetit që i mundëson Serbisë të gjejë zgjidhje.

Krahu nacionalist i demokratëve ka reaguar ndryshe. Nënkryetari i partisë së ish-kryeministrit Koshtunica, Sllobodan Samarxhic, thotë se barrikadat do të ulin tensionet, por nuk do të thotë që të gjitha do të hiqen.

Ndërsa Cedomir Jovanovic, i liberaldemokratëve, ka thënë se kjo është një lojë tjetër pasi vetëm KFOR-it do t’i mundësohet liria e lëvizjes dhe atë si rrjedhojë e një marrëveshjeje në veri, e jo në Bruksel.

Barrikadat në fshatin Jagenicë u hoqën pas marrëveshjes së arritur në Bruksel mes delegacionit serb dhe atij kosovar për menaxhimin e integruar të kufijve.

Top Channel