Medvedev, kurban i Putin

15/12/2011 12:15

Vladimir Putin e ka treguar në të kaluarën se është i gatshëm ta mbajë pushtetin me sakrifica dhe “kurbani” i tij i radhës mund të jetë pikërisht teknokrati që ai vetë e deshi në krye të Kremlinit për ta kontrolluar më mirë.

Studiues të ndryshëm mendojnë se nuk është cudi që pas protestave më të mëdha anti-qeveritare në Rusi që prej rënies së Bashkimit Sovietik, Putin të përpiqet të rifitojë mbështetjen publike përmes distancimit nga Dmitri Medvedev.

Zgjedhjet presidenciale janë caktuar të mbahen në mars, c’ka i lë shefit të qeverisë ruse më pak se tre muaj kohë për të hartuar një strategji të re pas akuzave për manipulime në zgjedhjet parlamentare.

Liderët rusë, thotë Bloomberg, i ruhen protestave të rrugës. Kujtimet e revolucioneve shënuan historinë e shekullit të 20-të të këtij vendi dhe ende nuk janë fashitur.

Demonstratat mund ta bindin Putin të kërkojë rrugë të reja për t’i treguar popullit se e dëgjon zërin e tij dhe një prej tyre është të heqë dorë nga zotimi për ta bërë Medvedev kryeministër. Ky pakt është tmerrësisht jopopullor, thotë studiuesi gjerman Alexander Rahr.

Sipas tij, njerëzit nuk e duan një rrokadë të tillë pushteti, ndaj për Putin do të ishte lëvizje e zgjuar të zgjidhte një kryetar tjetër qeverie.

“Megjithatë, ende nuk mund të flas për një gjë të tillë, për sa kohë Medvedev vazhdon të jetë president dhe mund ta hedhë poshtë marrëveshjen”, thotë Rahr.

46-vjecarit posti i kryeministrit iu ofrua pasi pranoi t’i hapte rrugen rikthimit te Putinit në pushtet, duke hequr dorë nga rikandidimi për postin e presidentit.

Për drejtorin e qendrës Carnegie Europe, Jan Techau, Medvedev është praktikisht “kartë e djegur”. Ai nuk ka shanse të qendrojë si kryeminister, por nga ana tjetër edhe nuk e heqin dot qafë aq lehtë, sepse është pjesë e rrethit të brendshem, argumenton Techau, ndaj do t’i gjejnë ndonjë punë të këndshme e jo fort të rëndësishme për të bërë.

Top Channel