“Vrasja e Gaddafit, një krim lufte”

16/12/2011 00:00

Ekzekutimi i kolonelit Muammar Gaddafit, njeriu që drejtoi Libinë për 42 vjet deri në tetor, mund të konsiderohet si një “krim lufte”.

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës, Luis Moreno-Ocampo, ishte ai që foli për këtë mundësi gjatë së premtes.

Koloneli u vra me një plumb të vetëm në kokë në qytetin e Sirtes, pasi u dorëzua i paarmatosur tek rebelët, në datën 20 tetor. Qeveria e përkohshme që drejton vendin foli fillimisht për një vdekje nga një “plumb qorr”, por pamjet filmike kanë treguar se me shumë gjasë, ai u qëllua në atë që ishte një ekzekutim i mirëfilltë.

”Mendoj se mënyra se si Gaddafi u vra të krijon dyshimin e krimeve të luftës. Vdekja e tij duhet të hetohet”, u shpreh Moreno-Ocampo për reporterët. “Mendoj se kjo është një çështje me shumë rëndësi. Ne i kemi ngritur këtë shqetësim autoriteteve vendase dhe Libia është duke përgatitur një plan për të hetuar mbi këtë krim”.

Djali i Gaddafit, Mutassim, gjithashtu u vra, pasi u kap i gjallë prej rebelëve. Më parë gjatë javës, vajza e kolonelit, Aisha Gaddafit, kërkoi që të bëhet drejtësi për vrasjen e dy familjarëve të saj.

Moreno-Ocampo shtoi se djali tjetër i kolonelit, Saif al-Islam, i cili mbahet në një burg libian, do të gjykohet për akuzat që rëndojnë mbi të në vendin e tij dhe jo në Gjykatën e Hagës.

Në bazë të ligjeve libiane, al-Islam rrezikon dënimin me vdekje për akuzat e krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.

Top Channel