Komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka deklaruar se Serbia
është në rrugën e duhur që në mars të vitit të ardhshëm të marrë
statusin e kandidatit.

Duke folur në një intervistë për të përditshmen serbe “Vcernje Novosti”, Fyle ka hedhur poshtë spekulimet e Beogradit se Brukseli po i imponon si kusht njohjen e Kosovës.

Megjithatë, komisioneri ka nënvizuar se marrja e statusit do të realizohet vetëm nëse vendi shënon progres të mëtejshëm në dialogun për cështjet praktike me Kosovën.

“Të jetë e qartë, Komisioni Evropian nuk është në pozitë dhe as që ka ndërmend t’i imponojë Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Fyle.

Komisioneri ka theksuar se është i inkurajuar për faktin se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë bërë hapa përpara drejt një marrëveshjeje të negociuar, praktike dhe e balancuar.


Franca: Nuk e kushtëzojmë Serbinë

Ditën e hënë ishte ambasadori francez në Beograd, Francois Xavier Deniau që deklaroi se Franca nuk e kushtëzon statusin e kandidatit për Serbinë me njohjen e Kosovës.

“Ne insistojmë në vazhdimin e dialogut, i cili mundëson një jetë më të mirë, sidomos për pakicën serbe në Kosovë”, deklaroi Deniau për gazetarët.

Duke folur pas nënshkrimit të një memorandumi mes Vojvodinës dhe rajonit francez të Bretanjës, diplomati vlerësoi se nga dialogu Prishtinë-Beograd janë përmirësuar shumë gjëra.

“BE-ja, për shkak të disa cështjeve të pazgjidhura, i ka dhënë Beogradit edhe pak kohë për zgjidhjen e të gjitha problemeve”, nënvizoi më tej Deniau.

Më 9 dhjetor, Bashkimi Evropian refuzoi t’i jepte Serbisë statusin e vendit kandidat për shkak të akteve të dhunës në veri të Kosovës, që kulmuan me plagosjen e disa ushtarëve të KFOR-it.

Presidenti Boris Tadic dhe ministri i Brendshëm Ivica Dacic bënë përgjegjës Brukselin për dështimin, me argumentin se kishte vendosur kusht njohjen e Kosovës, akuzë kjo që u përgënjeshtrua nga BE.

Top Channel