Censusi, “të pasur” brenda ditës

21/12/2011 19:35

Pas publikimit të rezultateve mbi regjistrimin e popullsisë, shqiptarët janë automatikisht 12 për qind më të pasur se një ditë më parë, pa dalë përfundimet paraprake të censusit.

Sipas të dhënave, mbi të cilat operonin isntitucionet shtetërore, por edhe ato ndërkombëtare, në Shqipëri në fund të vitit 2010 jetonin 3 milionë e 190 mijë banorë.

Mbi këtë numër popullsie të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse llogariteshin zyrtarisht në 7667 dollarë.

Por tani popullsia, sipas censusit të 2011-ës, është 11 për qind më e vogël se sa ajo e një ditë më parë, pa dalë rezultati.

Për pasojë, të ardhurat në Shqipëri rriten automatikisht nga 7667 në 8589 dollarë për frymë. Kjo rritje me mbi 900 dollarë është 12 për qind më shumë sesa të ardhurat që kishin shqiptarët një ditë përpara se të dilnin rezultatet e censusit.

Me këtë rezultat të ri, Shqipëria afrohet me disa nga vendet e rajonit, me të cilat më parë kishte diferenca jo të vogla tek të ardhurat për frymë.

Për shembull, krahasuar me Maqedoninë fqinje, përpara censusit Shqipëria i kishte të ardhurat për frymë 1531 dollarë më pak. Me rezultatin e ri pas censusit, diferenca bëhet vetëm 600 dollarë për frymë.

Të besueshme apo të pabesueshme shifrat e censusit, nga sot shqiptarët në letër janë pasuruar brenda 1 dite me mbi 900 dollarë më shumë.

Por ulja e numrit të popullsisë në këtë rast është thikë me dy presa, pasi përvecse rrit të ardhurat, rrit edhe borxhin publik për frymë.

Top Channel