Nano: Përjashtimi i Islamit, gabim

22/12/2011 00:00

Fatos Nano e ka konsideruar si nje gabim perjashtimin e deputetiti
Kastriot Islami nga grupi parlamentar socialist. Nano tha se ‘une besoj
se Partia Socialiste do ta korigjoje nje gabim te tille’.

“Besoj se Partia Socialiste do të ketë forca ta korrigjojë këtë gabim fatal”, tha Nano.

Ish-kryeministri Nano tha se nuk beson se është në garë me të kaluarën, por me idetë dhe përfaqësuesit, që janë të interesuar për shpejtimin e integrimit europian të Shqipërisë.

Islami, jashtë Partisë Socialiste

Katër vota kundër dhe dy abstenime kanë përthyer qëndrimin e unifikuar për përjashtimin e Kastriot Islamit nga grupit parlamentar. Deputeti Tom Doshi ka qenë më i drejtpërdrejti në këtë drejtim dhe në një prononcim për “Shqip” ka dhënë mendimin e tij, duke krahasuar rastin Islami me rastin Blushi, në kuptim të zbatimit të rregullores. Për “Shqip” kanë folur edhe Hazir Gashi dhe Marko Bello.

Me një fjalë të thukët e ka pagëzuar seancën kreu Edi Rama: “Kjo nuk është një votë kundër Kastriot Islamit, por një votë për zbatimin e Rregullores”. Me këto fjalë të tij, është skicuar edhe versioni zyrtar i çregjistrimit prej tij, të një prej themeluesve të saj, që me gjasë si ngjarje do të ngulitet në kujtesë me titullin: përjashtimi i Islamit nga trupa e parlamentarëve socialistë. Në një takim të parashikuar për të trajtuar problemin “Islami”, sipas sugjerimit të Kryesisë së Partisë Socialiste, grupi është mbledhur dje dhe ka miratuar propozimin për çregjistrimin e Kastriot Islamit. Katër vota kundër, dy abstenime me një ekip ku mungonin deputetët Andis Harasani, që është jashtë Shqipërisë dhe Ben Blushi, trupa e deputetëve socialistë nën drejtimin e Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit i ka dhënë fund karrierës politike të ish-themeluesit të selisë rozë nën siglën e saj.

Mbledhja

Mbledhja e grupit parlamentar ka nisur me një propozim apo kërkesë të Islamit për zhvillimin e diskutimit të çështjes së tij në prani të mediave, në mënyrë që debati i rrahur kryesisht me replika në distancë të mund të vështrohej në kontekst institucional ashtu sikundër edhe zhvillohet në të vërtetë. Kësaj kërkese, grupi i është përgjigjur me një mbledhje të kryesisë së vet, e cila e ka hedhur poshtë atë, për të vijuar me një mbledhje me dyer të mbyllura. Ky vendim në fakt, që nuk lejoi pasqyrimin mediatik të mbledhjes, solli largimin e Islamit, i cili në një farë mënyre u gjykua në mungesë nga partia e tij. Vetë ai në konferencën e mëvonshme për shtyp do ta krahasonte situatën në fjalë me atë të ndodhur në vitin 1981, me bashkëfshatarin e tij të famshëm, Mehmet Shehu, i cili pas namit të ashpërsisë dhe cilësive prej burri shteti, u detyrua të bënte një autokritikë para shokëve të Partisë, në një ballafaqim cinik dhe therës me ta dhe me veten. “Mua nuk m’u dha as rasti të bëj autokritikë”, deklaroi Islami në qasje historike për raportin e vet me partinë.

Top Channel