Irak, “fajin për masakrën e ka Kryeministri”

23/12/2011 09:30

Ish-zëvendëspresidenti i Irakut, Tariq al-Hashemi, cilësoi Kryeministrin Nouri Maliki si fajtor për shpërthimin e papritur të dhunës në vend.

Mbi 60 vetë mbetën të vrarë ditën e enjte, kur një sulm i koordinuar kamikaz u realizua në kryeqytetin Bagdad.

Hashemi, ndaj të cilit është vendosur një mandat-arresti për akuzën e bashkëpunimit me grupe terroriste, u shpreh se “Maliki duhet të përqendrohet tek rikthimi i stabilitetit në vend dhe jo tek gjuetia ndaj politikanëve patriotë”.

Ngjarja e së enjtes ka ngjallur frikën për mundësinë e shpërthimit të një lufte sektare, në vendin e ndarë midis dy komuniteteve të mëdha sunite dhe shiite.

Maliki është një antar i shumicës shiite, popullsi që përbën 65% të vendit, ndërsa Hashemi konsiderohet si politikani më i lartë sunit në Irak. Pas ngritjes së akuzave ndaj ish-zëvendëspresidentit, grupi i madh sunit në partlament, i partisë al-Iraqiyya, vendosi të bojkotojnë jetën politike të vendit.

Situata e tensionuar në Irak është rikthyer vetëm pak ditë pas tërheqjes së trupave të fundit amerikane, të cilat qëndruan në vend për nëntë vjet.

Top Channel