“1 milion kuqezi”, nisma e AK në Londër

23/12/2011 00:00

“Në Londër ndodhi copëtimi, por mund të fillojë edhe bashkimi”. Me këto fjalë nisi në Londër inspiruesi i “Aleancës Kuq e Zi”, Kreshnik Spahiu fushatën “1 milion kuqezi”.

Kjo fushatë synon për 100-vjetorin e pavarësisë të bëhen 1 milion aktivistë të kësaj aleance dhe shndërrohet lëvizje popullore mbarë kombëtare në trojet etnike dhe diasporë.

Disa qindra emigrantë që jetojnë dhe punojnë në Britani u tubuan në qendër të Londrës në aktivitetin e “Aleancës Kuq e Zi”. Në tubim, Kreshnik Spahiu reagoi shumë ashpër ndaj censusit që u publikua nga qeveria shqiptare duke thënë se është i turpshëm reagimi grekëve dy ditë para publikimit dhe qeveria duhet të përgjigjet pse informoi Greqinë para shqiptarëve për rezultatin?

“Artificialisht censusi ka zvogëluar kombin më të madh në rajon duke e nxjerr si popullsinë më të vogël. Ne jemi një nga popujt më të mëdhenj në Ballkan më shumë se kroatët, serbët, maqedonët, malazezët, boshnjakët, por censusi grek na copëtoi”, tha Kreshnik Spahiu.

Aksioni “Abetare në cdo familje të re emigranti” po zhvillohet masivisht në disa qytete europiane për ndërgjegjësimin e prindërve emigrantë që t’u mësojnë gjuhën fëmijëve.

Së shpejti “Aleanca Kuqezi” do t’u dhurojë shqiptarëve një program me ëndrrat e Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit për një Shqipëri Kuq e Zi larg dhe ndryshe nga ata që tradhëtuan këto ideale, deklaroi Kreshnik Spahiu në Londër.

Aleanca Kuq e Zi ditë më parë reagoi ashpër kundër deklaratës së kryeministrit Berisha i cili u shpreh kundër bashkimit të Shqipërisë me Kosovën.

Qindra emigrantë u regjistruan si anëtarë në fushatën “1 milion kuqezi” dhe ndërmjet tyre edhe boksieri i njohur shqiptar me banim në Londër, Kreshnik Qato.

Mësohet se rreth 200 shqiptarë nga Londra do të udhëtojnë në Tiranë në maj në Kuvendin Mbarëkombëtar të Aleancës Kuqezi, ashtu si dhe qindra emigrantë nga gjithë Europa.

Më pas Aleanca Kuqezi dhe aktivistët e saj në Londër u tubuan në bulevardin “Regents Street” të kryeqytetit me flamuj kuq e zi dhe simbolet kombëtare në një veprim sensibilizimi dhe promovimi të vlerave historike të shqiptarëve.

Top Channel