Lamtumirë Nina Mula

23/12/2011 00:00

Një jetë e kaluar në skenën e operas shqiptare dhe prej aty miq, kolegë, të afërm dhe ish-stuedntë të sopranos dhe pedagoges Nina Mula i dhanë lamtumirën e fundit.

Ajo nuk është më, por kryerolet që interpretoi mbeten në fondin e artë të muzikës operistike shqiptare. Sopranoja Edith Mihali, kolege e Mulës në skenën e operas kthehet pas për të kujtuar Nina Mulën në tërë dimensionin e saj.

“Për mua ka qenë shembulli unik i punës dhe gruas energjike. Ka qenë dhe mbetet shembulli i artistes së përkushtuar. Deri ditën e fundit ajo qe pranë artistëve të rinj”, u shpreh Mihali.

Ish-studentët e sopranos Mula ishin aty në nder të figurës së një artisteje dhe pedagogeje të pazëvendësueshme.

“Është një humbje shumë e madhe për artin shqiptar. Ajo ka qenë pedagogia ime për 4 vjet. Ishte ajo që më dha kulturën në lidhje me muzikën klasike”, theksoi këngëtarja Ledina Celo.

Lamtumira e fundit sopranos iu dha edhe nga zyrtarë të lartë të shtetit.

“Përcjellim një figurë të ndritur të artit skenik shqiptar. Kontributi i familjes Mula ka qenë i madh në kulturën e vendit tonë”, tha Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

“Sot ndahemi nga artistja e madhe Nina Mula, por jo nga arti i saj frymëzues për një brez të tërë”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Sopranoja Nina Mula u lind më 23 nëntor të vitit 1931 në Izhevski të Rusisë për tu shndërruar më pas në këngëtaren shqiptare të operas me origjinë ruse. Ajo u shua në moshën 80-vjeçare në Tiranë. Prej mëse një viti vuante nga një sëmundje e rëndë dhe këtë të premte u përcoll për në banesën e fundit.

Top Channel