Putin i mbyll dyert opozitës

27/12/2011 00:00

Kryeministri rus, Vladimir Putin i mbyll cdo shteg opozitës, duke përjashtuar rishikimin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, madje akuzoi protestuesit se u mungon qëellimi.

Këto janë komentet e para prej protestes gjigande të fundjavës, ku u mblodhën dhjetëra mijëra njerëz në rrugët e Moskës, edhe në qytete e tjerë të Rusisë.

“Zgjedhjet për Dumën përfunduan. Të gjitha fraksionet parlamentare nisën punën. Kryetari i Dumës u zgjodh dhe ajo po funksionon. Nuk ka asnjë mundësi për dialog apo rishikim të rezultateve, përvec opsionin ligjor, të shkojnë në gjykata. Nëse ka ndonjë shkelje, ata janë të detyruar ta rishikojnë dhe të arrijnë një verdikt objektiv dhe të reagojnë në mënyrën e duhur. Kështu pra, ne duhet të përqëndrojmë vëmendjen tonë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë”, tha Putin.

Putin e bëri këtë deklaratë në Moskë, gjatë takimit me anëtarët e “Frontit të të gjithë popullit të Rusisë”, një lëvizje në mbështetje të tij.

Ai tha se qeveria do të shpenzojë 14 miliardë rubla apo 500 milionë dollarë për të pajisur shkolla, librari dhe vendvotime të tjera me uebkamera për të garantuar që procesi zgjedhor në Marsin e 2012 të jetë transparent dhe i pakontestueshëm.

“14 miliardë janë shumë, por në të njëjtën kohë po përpiqemi të garantojmë që teknologjia të mbetet dhe të përdoret nga shkollat dhe libraritë”, shtoi Putin.

Politikani më popullor në Rusi, sipas sondazheve, tha se ka një axhendë solide e cila përfshin modernizimin e ekonomisë dhe forcimin e mëtejshëm të Mbrojtjes.

Protestat në vend u shndërruan në sfidën më të madhe për Vladimir Putinin dhe presidentin Dimitrij Medvjedev.

Rezultatet treguan fituese partinë “Rusia e Bashkuar” por me një rënie në përqindje nga 64 në 49%. Vëzhguesit e OSBE-së, që monitoruan zgjedhjet parlamentare, në raportin përfundimtar, nënvizuan manipulime dhe mungesë pavarësie nga administrata zgjedhore. Autoritetet ruse janë kritikuar edhe për ndalimin e disa partive të opozitës. 

Top Channel