Dokumente false për tokën

29/12/2011 15:15

Prokuroria e Tiranës së shpejti pritet të mbyllë hetimet dhe të dërgojë në gjykatë dosjen penale për falsifikimin e dokumentave të pronësisë për 254 hektarë tokë në bregdetin e Durrësit, për të cilën Gjykata e Lartë ka vendosur tu kthehet trashëgimtarëve të familjes Shallvari, ku është pronare edhe familja e gjyqtarit të vrarë në Vlorë, Skerdilajd Konomi.

Sipas burimeve pranë Prokurorisë, i pandehuri i vetëm që po tentohet t’i komunikohet akuza është Qemal Mulla, përfaqësues i familjes Toptani, që prej vitesh kanë rivalizuar me trashëgimtarët e Shallvarëve për këtë sipërfaqe toke. Qemal Mulla, i cili sipas informacioneve të Prokurorisë ka dalë jashtë Shqipërisë do të jetë nën akuzë për përdorim të dokumenteve të falsifikuara, ndërkohë që nuk është zbuluar se kush i ka falsifikuar këto dokumente.

Por, ajo që raportohet nga Prokuroria është se sipas ekspertizës laboratorike, dokumenti i pronave i paraqitur pranë zyrës rajonale të agjensisë së kthimit të pronave në Durrës, është i falsifikuar.

Ky falsifikim, thotë laboratori shkencor, konsiston në ndryshimin e shkrimit, dy vula të ndryshme, njëra që i përket kohës së Ahmet Zogut dhe tjetra e vitit 1944 si dhe ndryshojnë numrat e repertorit përkatës. Dokumenti i falsifikuar është futur në arkivën e shtetit disa vite më parë dhe më pas është tërhequr sikur të ishte origjinali.

Kallzimi për këtë çështje është bërë nga trashëgimtarët Shallvari mes të cilëve ishte edhe i ndjeri Skerdilajd Konomi, vrasja makabre e të cilit ende nuk është zbardhur.

Pritet që përfundimi i këtyre hetimeve të ndikojë edhe në procesin civil në Gjykatën e Tiranës, për ekzekutimin e vendimit të Gjykates së Lartë, e cila ia ka njohur të afërmve të gjykatësit Konomi këtë tokë.

Top Channel