Karzai: Ok negociatave talebanë-SHBA

04/01/2012 17:00

Afganistani nuk e kundërshton, përkundrazi është dakord me negociatat mes talebanëve dhe Shteteve të Bashkuara, pasi mund të ndihmojnë në uljen e dhunës në vend.

Deklarata është bërë nga zyra e shtypit e presidentit afgan Hamid Karzai, përmes një komunikate për shtyp, që u është dërguar agjencive kryesore të lajmeve.

“Për të shpëtuar Afganistanin nga lufta, komplotet, vrasjet e personave të pafajshëm dhe për të arritur paqen, Kabuli pranon negociatat që parashikojnë hapjen e një zyre të talebanëve na Katar”, thuhet në komunikatë.


Marrëveshja paraprake
mes guerrilasve afganë dhe përfaqësuesve të Perëndimit me qëllim për t’i dhënë fund luftës u arrit të martën.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse rebelët, që deklarojnë se janë duke fituar luftën, janë të përgatitur për t’u angazhuar seriozisht në bisedimet për paqen dhe nëse ato mund të mbahen kur trupat ndërkombëtare vijojnë të vrasin talebanët dhe komandantët e tyre.

Në reagimin e tyre, guerrilasit thanë se problemi aktual i Afganistanit filloi me pushtimin e udhëhequr nga SHBA në vitin 2001 dhe dy palët kryesore të përfshira në të.

Bëhet fjalë pikërisht për talebanët nga njëra anë dhe Shtetet e Bashkuara me aleatët e tyre nga ana tjetër.

Marrëveshja ka bërë që Uashingtoni të shqyrtojë lirimin e qindra të burgosurve afganë në burgun e Guantanamos, në Kubë, kërkesë kjo e parashtruar nga vetë talebanët.

Top Channel