Presidenti gjerman: Nuk e jap dorëheqjen

04/01/2012 20:25

Presidenti i Gjermanisë, Christian Wulff deklaron se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të skandalit lidhur me huanë e marrë për shtëpinë e tij.

Ai ka qenë nën presion të vazhdueshëm pasi u zbulua se kishte kërcënuar një gazetë me aksione ligjore nëse do të publikonte detajet e huasë së diskutueshme.

Në një intervistë të regjistruar televizive, Wulff deklaroi se kërcënimi ishte “një gabim serioz” për të cilin atij i vinte keq. Por kur u pyet nëse ka ndërmend të japë dorëheqjen, ai u përgjigj: “Jo”.

Zoti Wulff theksoi se nuk i ka shkuar ndërmend të japë dorëheqjen për shkak se kishte marrë mbështetje të konsiderueshme në javët e kaluara nga qytetarët, miqtë dhe kolegët.

Më pas ai u përpoq të sqaronte gabimet e tij. “Unë e di që nuk kam bërë asgjë në shkelje me ligjin, por jo gjithcka që kam bërë ka qenë në mënyrën e duhur”, u shpreh Wulff.

“I marr përsipër me kënaqësi përgjegjësitë e mia si president. Në përfundim të mandatit tim 5-vjecar, dua që njerëzit të jenë në gjendje të gjykojnë se kam qenë një president i mirë e i suksesshëm”, u tha ai dy gazetarëve të rrjeteve kombëtare “ARD” dhe “ZDF”.

Më herët, zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel, Georg Streiter tha në një konferencë për shtyp se shefja e tij ka një “respekt të madh” për punën e presidentit.

Një kristian-demokrat i qendrës së djathtë, Christian Wulff, 52 vjec, ishte kandidati i zonjës Merkel për postin e presidentit, pasi Horst Koehler u tërhoq në maj të vitit 2010 pas deklaratave të tij lidhur me vendosjen e trupave gjermane në Afganistan.

Muajin e kaluar u zbulua se ai kishte marrë një hua prej 500 mijë eurosh me interesa të ulëta nga bashkëshortja e një biznesmeni të pasur në vitin 2008, gjatë kohës që kishte qenë kryeministër i shtetit të Saksonisë së Ulët.

Top Channel