Nigeri, sulm ndaj të krishterëve, 17 viktima

06/01/2012 21:20

Persona të armatosur në veri të Nigerisë kanë hapur zjarr ndaj një grupi të krishterësh të mbledhur për një ceremoni mortore, duke vrarë 17 persona.

Një banor i qytetit të Mubit, ku ndodhi dhe sulmi, ka deklaruar se viktimat ishin mbledhur për të nderuar 5 të krishterë që ishin vrarë ditën e djeshme në të njëjtin lokalitet.

Sulmi i ri i së premtes, vjen pas një tjetër episodi të ndodhur po ditën e djeshme, në një kishë në Gombe, ku mbetën të vrarë gjashtë persona.

Nigeria ka përjetuar kohët e fundit një rritje të dhunës etnike dhe sektare. Ndërkohë që qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në disa pjesë të vendit.

Përgjegjës për krimet me sfond fetar konsiderohet grupi ekstremist islamik Boko Haram, të cilin Kongresi amerikan në një raport e konsideronte si rrezik për Shtetet e Bashkuara.

I përqendruar në veri të vendit me 140 milion banorë, atje ku popullsia muslimane është e lokalizuar, militantët janë përgjegjës për disa shpërthime që kanë shkaktuar qindra viktima.

Besohet se Boko Haram është duke vendosur lidhje të thella me Al Kaedën dhe degëzimet e saj në disa zona të tjera të Afrikës.

Sipas raportit, është thelbësore për Uashingtonin që të punojë për të fuqizuar marrëdhëniet me shërbimet e fshehta nigeriane.

Top Channel