Presidenti Boris Tadiç deklaron se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën
dhe se dënon dhunën, sipas tij, të regjistruar një ditë më parë.

“Kjo është toka jonë, unë u uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës “Gëzuar Krishtlindjen!”, uroi Tadic, duke lëshuar kështu një tjetër deklaratë të fortë nga territori i Kosovës së pavarur.

Një ditë më parë Tadiç pas shumë vështirësish arriti të futet në territorin e Kosovës. Rruga e tij për në Manastirin e Deçanit u pengua disa herë megjithatë ai arriti në Decan nëpërmjet rrugës tokësore rreth orës 18:00.

Eskorta e tij u sulmua nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarë të Decanit, të cilët gjatë gjithë ditës protestuan kundër kësaj vizite.

Disa gurë u hodhën në makinat e EULEX-it të cilat po e shoqëronin delegacionin serb, edhe pse turma tashmë ishte izoluar nga njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Forca të mëdha të sigurisë, si nga Policia e Kosovës po ashtu nga ato të EULEX-it e KFOR-it u shtrinë në Decan duke ofruar kështu një siguri të nivelit të lartë.

Presidenti serb pas veshtirësive që kaloi do të kalojë natën në Decan. Ndërkohë që mediat lokale nuk u lejuan ta përcjellin vizitën në Manastir.

Top Channel