Aleanca “Kuq e Zi” reagon ashpër ndaj Tadiç

08/01/2012 11:05

Aleanca “Kuq e Zi” reagoi ashpër ndaj deklaratave të bëra gjatë vizitës në Kosovë të Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç.

Kreu i shtetit Serb vizitoi manastrin e Deçanit me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse dhe përfitoi nga rasti për të shprehur edhe një herë qëndrimin kategorik kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, të dielën, deklaratat e Tadiçit në Manastirin e Deçanit u konsideruan si një “shovinizëm i pastër serb. Tadiç provokoi me fjalët e tij 10 milionë shqiptarë në këto troje”, shkruante lëvizja.

Gjithashtu, Aleanca “Kuq e Zi”, duke u motivuar nga protestat e fundit në Tuz të Malit të Zi, i drejtoi autoriteteve një apel për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në vendet fqinje.

“Kosova është prej mijëra vjet tokë shqiptare. Ulqini dhe Tuzi janë gjithashtu bastione kuqezi. Tirana duhet të thyejë heshtjen dhe të mbrojë me kushtetutë të drejtat e tyre. Ata nuk janë shqiptarë që banojnë në vendet fqinje, por shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre”.

Aleanca “Kuq e Zi” protestoi me tone të ashpra edhe ndaj skandalit të heqjes së gjuhës shqipe nga aeroportet maqedonase. “Maqedonia hoqi gjuhën shqipe nga aeroporti kur 60% të udhëtarëve të saj janë shqiptarë. Shovinizmi sllav po kalon në cënim të drejtash, ndaj mbështesim fuqimisht protestat në Tuz”.

Top Channel