Siri, të shtëna ndaj vëzhguesve arabë

09/01/2012 17:25

Televizioni arab Al Jazira ka njoftuar pak më parë plagosjen e një numri të pacaktuar personash në një sulm me armë zjarri të kryer nga persona të paidentifikuar, ndaj një autokolone të vëzhguesve arabë në Homs, epiqendër e represionit, në veri të Damaskut.

Transmetuesi ka cituar burimet e tij nga qyteti i tretë më i madh i Sirisë. Të shtënat e armëve të zjarrit pranë një turme protestuesish anti-regjim janë dëgjuar edhe në një video të shfaqur në këto momente në Youtube, ku shihet një makinë e autokolonës së vëzhguesve që kalon mes protestuesve.

Pamjet, që sipas titrave të vendosura nga aktivisti që e ka publikuar, janë xhiruar të hënën në Khaldije, lagje në pjesën veriore të Homsit, fortesë e protestuesve dhe një prej zonave më të goditura nga shtypja e përgjakshme e regjimit.

Në video duket pastër makina ku udhëtojnë vëzhguesit, e cila në kofanon e saj ka një logo të madhe të Ligës Arabe. Vetura është rrethuar nga një gurp manifestuesish, të gjithë burra, që valëvisin flamujt sirianë të pavarësisë, një nga simbolet e revoltës kundër regjimit.

Pak sekonda më vonë dëgjohen të shtëna armësh automatike dhe klithma të manifestuesve. Në këtë moment pamjet bëhen konfuze dhe videoja ndërpritet.

Top Channel