Vrasja e shkencëtarit, Irani fajëson SHBA dhe Izraelin

13/01/2012 15:45

Ashtu sic edhe pritej, Irani fajësoi shërbimet sekrete të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për vrasjen e shkencëtarit bërthamor, Mostafa Ahmadi Roshan.

Shkencëtari dhe profesori në një nga universitetet e Teheranit, u vra ditën e mërkurë pas shpërthimit të një bombe magnetike, sic thonë autoritetet iraniane, të orientuar në makinën e tij.

Vetë lideri suprem iranian, Ajatollahu Ali Khamenei, cituar nga televizioni shtetëror iranian, tha se vrasja e Roshan tregon “arrogancën dhe kokëfortësinë e Shteteve të Bashkuara dhe zionistëve (Izraeli), që ka mbërritur në kulmin e përplasjeve me devotshmërinë dhe progresin e Republikës Islamike të Iranit”.

“Përgjegjësit  e këtij sulmi nuk do ta shfaqin veten, por sulmi, ashtu si të gjithë sulmet e mëparshme, është vepër e CIA-s dhe Mossad-it (shërbimet sekrete amerikane dhe izraelite), si të gjitha krimet e tjera të kryera nga rrjeti ndërkombëtar i shteteve terroriste”, ka deklaruar Ajatollahu Khamenei.

Në fund të fjalës së tij, Lideri Suprem ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e shkencëtarit të vrarë, si dhe ka paralajmëruar të gjithë “tradhëtarët dhe bashkëpunuesit me shërbimet sekrete të huaja, se do të marrin një dënim shembullor”.

Të premten, edhe presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad u ka dërguar mesazhe ngushëllimi familjes së shkencëtarit dhe shoferit të tij, edhe ky i vrarë nga shpërthimi i bombës. Ashtu si Khamenei, edhe Ahmadinejad ka fajësuar për këtë sulm “agjentët imperialist dhe zionizmin ndërkombëtar”.

Pavarësisht akuzave të Teheranit, Shtetet e Bashkuara mohuan kategorikisht luajtjen e ndonjë roli në vrasjen e shkencëtarit Roshani. Sekretari i Mbrojtjes, Leona Panneta, gjatë një fjalimi para ushtarëve në Teksas tha se SHBA nuk ka gisht në vrasjen e shkencëtarit iranian dhe shprehu ngushëllimet për familjen e tij.

Sulmi i fundit ishte dy vjet pas vrasjes së 50-vjeçarit Masud Ali
Mohamad, profesor në Universitetin e Teheranit, i cili u vra nga një
bombë me telekomandë, pak pasi doli nga shtëpia në Teheran më 12 Janar
të vitit 2010-s. Ka mbetur ende e paqartë, nëse sulmi kishte ndonjë
sfond politik, sepse, sic raportohet, ai kishte lidhje me kandidatin e
opozitës për president. Megjithatë, në gusht të vitit 2011, iraniani
Maxhid Xhamali Fashi u dënua me vdekje për vrasjen. Autoritetet
shtetërore thanë se ai ishte paguar nga Mossadi, shërbimet e
inteligjencës izraelite. Por Izraeli nuk bëri komente mbi këto
pretendime.

Top Channel