Vendimi, reagon Brukseli

17/01/2012 00:00

Komision Europian nuk ka autoritetin të komentojë për vendimet e veçanta të gjykatave në Shqipëri, por çështja “Meta-Prifti”, e ndjekur nga afër nga vetë shërbimet e Komisionit dhe ambasadave të ndryshme të huaja në vend, pritet të vlerësohet, në kuadrin e gjyqësorit, gjatë publikimit të raport progresit të radhës.

“Komisioni Europian po mban shënim mbi këtë verdikt, por ne nuk mund të komentojmë mbi raste të posacme”, ka deklaruar Peter Stano, zëdhënës i komisionerit Stefan Fule.

I pyetur nga TCH për një vlerësim, nëse gjykimi ishte i pavarur apo pa ndërhyrje politike, Stano ka dhënë këtë përgjigje:

“Komisioni Europian nuk ka mandat dhe nuk do të komentojë mbi raste të tilla të posacme, por unë mund t’ju them vetëm një gjë, se sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm, është një element shumë thelbësor për rrugën europiane të cdo vendi aspirues që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, e në rastin e Shqipërisë, sundimi i ligjit është një prej 12 prioriteteve kyce që u përcaktuan. Ne do të vëzhgojmë performancën e Shqipërisë në secilin prioritet kyc më vete dhe më pas do t’a përmbledhim vlerësimin dhe do t’a publikojmë atë në raportin e ardhshëm vjetor të progresit, më vonë gjatë këtij viti”.

Reforma në gjyqësor u shpall prioriteti më parësor në Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Europian për këtë vit; si dhe përbën një prej 12 kritetereve për statusin kandidat për Shqipërinë.

Me një vendim që përmbante vetëm tre paragrafë të shkurtër, Gjykata e Lartë i dha pafajësinë Ilir Metës, duke zbuluar ndoshta atë cka pritej, por lënë pa zbardhur vetëm argumentimin e tij.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel