Putin, sulm i ashpër ndaj mediave

19/01/2012 15:20

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, akuzoi një radio liberale në vend për mashtrim të vazhdueshëm në shërbim të interesave të shteteve të huaja.

Në një mbledhje rutinë me botuesit dhe kryeredaktorët e mediave më të mëdha në vend, Putin kritikoi me tone të ashpra drejtuesin e radios “Moscow Echo”, Alexei Venediktov, të cilit i kërkoi që “të rreshtë së hedhuri bajga mbi të 24 orë në ditë”.

Kryeministri, kandidat për një mandat të tretë presidencial në zgjedhjet e marsit, ilustroi fjalimin e tij me shembuj të qëndrimeve të radios, e cila ishte shprehur më parë pro planit të NATO-s për të vendosur një sistem raketor mbrojtje në Europë, projekt i kundërshtruar ashpërsisht nga Kremlini dhe i cilësuar si kërcënues për sovranitetin e vendit.

Rusia ka një vlerësim tepër kritik për respektimin e fjalës së lire dhe konsiderohet ende si një shtet që imponon një censure të forte mbi mediat.

Nga ana e tij, Venediktov u shpreh se kushdo është i hapur të kritikojë radion e tij. “Pa dyshim, ishte e papritur që Kryeministri të niste të kritikonte me ato fjalë stacionin tonë në një mbledhje qeverie. Megjithatë, jam i kënaqur që ai na dëgjon dhe e di se çfarë themi. Pastaj, nëse unë e kritikoj atë, edhe ai është i lirë të më kritikojë mua”, u shpreh drejtuesi i radios.

Putin, president në periudhën 2000-2008, do të konkurrojë përsëri për një mandat të tretë në krye të Kremlinit, pas ndryshimeve kushtetuese që i lejuan të konkurrojë sërisht.

Zgjedhjet e marsit konsiderohen si veçanërisht delikate, pasi protesta të shumta janë zhvilluar në vend që prej publikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit, në të cilat u regjistruan parregullsi të shumta.

Partia e Putin dhe presidentit aktual, Medvedev, fitoi në këtë zgjedhje, por humbi shumicën absolute, duke fituar në Dumën ruse vetëm një shumicë fare të vogël.

Top Channel