Exclusive – 21 Janari

22/01/2012 00:00

Mbrëmjen e sotme, emisioni “Exclusive”, në “Top-Channel”, sjell dëshmitë e    familjareve te katër viktimave të 21 Janarit.

Me titull “21 Janari një vit më pas……”, “Exclusive” ndërton kronologjinë e hetimeve të deritanishme, të cilat kanë mundur të zbardhin vetëm 1 nga 4 vrasjet ndodhur 365 ditë më parë përpara Kryeministrisë.

”Exclusive” udhëtoi në Fier, Lezhë dhe në fshatin Laknas në afërsi të Tiranës, për t’u takuar me familjarët e viktimave dhe për të mësuar se si ka qenë një vit pa të afërmit e tyre, të vrarë në këtë protestë.

Zabit Deda, vëllai Hekuran Dedës thote se në emër të Kryeministrit, familjes Deda iu ofrua fotoja e autorit te vrasjes dhe një shumë parash, në këmbim të vizitës së Kryeministrit në shtëpinë e tyre.

”Qeveria ka sjellë përfaqësues, tre ditë pasi u bë varrimi. Po dëshët mund të përmend edhe emra, por nuk besoj se është kjo e rëndësishme. Na kanë kërkuar që të pranojmë Sali Berishën të vijë të pijë kafe se do ta gjenim autorin e vrasjes. Do të na jepnin fotografinë e personit që e vrau, sepse e dinin kush ishte. Na thanë që kishin edhe një shumë parash në një valixhe në makinë, por nuk kisha si ta pranoja këtë ofertë”, shprehet Zoti Deda.

Edhe Ana, vajza e Ziver Veizit, në një rrëfim emocional, së bashku me të vëllain Keidin apelojnë për drejtësi. “Ka kaluar një vit dhe unë shikoj që akoma nuk ka dalë e vërteta. Shoh që kështu do të vazhdojë. Nuk besoj se do të bëhet ndonjë gjë, edhe pse shpresoj shumë që të dalë e vërteta e babait”, thotë e mitura.

Nga Brukseli ku ka marrë statusin e azilantit politik vjen dëshmia e parë televizive e gazetarit të plagosur ne 21 janar, Fatos Mahmutaj.

”Kam ruajtur xhaketën e veshur atë ditë që po raportoja dhe kjo është vrima e plumbit (tregon xhaketën). Ndodhesha me dorën me telefonin tek veshi dhe me tjetrën të ngritur lart, ku mbaja kartën e gazetarit për të treguar që isha reporter dhe që të mos më qëllonin. Plumbi më tejçpoi dorën dhe më preku qafën. Dukej qartë që ishte drejtuar për në kokë, me qëllim që të më vriste dhe nëse do të kishte qenë disa centimetra më i saktë, do t’ia kishte dalë mbanë”, rrëfen Mahmutaj.

Sot, në “Exclusive”, ora 20:05, “21 janari, një vit më pas”.

Top Channel