Ina Rama: Ndrea Prendi vrau Faik Myrtajn

23/01/2012 00:00

Hetimet për 21 janarin marrin një kthesë të fortë. Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar masën e arrestit për komandantin e gardës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt, shoferin e tij Margarit Kume, për fshehje të provave dhe specialistin e IT-së së Kryeministrisë, Armando Kasaj për prishje të provave dhe manipulim të serverit me pamje filmike të Kryeministrise.

Gjykata vendosi vetëm masën e arrestit shtëpiak. Pak orë më vonë, kryeprokurorja Ina Rama gjatë shpjegimit të kërkesës për arrestimin e kreut të Gardës së Republikës dhe shoferit të tij, bëri të ditur se, sipas ekzaminimeve balistike të kryera në Tiranë, si edhe në laboratorin e FBI-së, rezulton se, me pistoletën personale të tij është vrarë shtetasi Faik Myrtaj.

Gjithashtu, sipas kryeprokurores rezulton se, pas kryerjes së krimit, arma është dëmtuar qëllimisht për fshehje të provës.

“Rezulton e provuar tej çdo dyshimi se nga arma personale e shtetasit Ndrea Prendi, pistoletë tip “Beretta” e kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z, janë realizuar 11 qitje në drejtim të turmës. Një nga predhat që është qitur nga arma e shtetasit Ndrea Prendi ka shkaktuar vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj. Predhat e tjera të qitura prej tij janë gjendur në pemët dekorative dhe në muret e zyrave të UNHCR. Për të shmangur zbulimin e këtij fakti, ky person duke përfituar nga detyra që mban, ka ndërruar tytën e pistoletës së tij, me tytën e pistoletës së personit tjetër nën hetim, shtetasit Margarit Kume. Njëkohësisht ai ka dëmtuar mekanikisht gjilpërën goditëse të pistoletës së tij, duke patur si synim që nëpërmjet dëmtimit të saj të bënte të pamundur që ekspertët të evidentonin se gëzhojat e gjetura në vendngjarje ishin qitur nga arma e tij. Modifikimet e bëra në armën e tij pas ngjarjes janë provuar plotësisht nga ekzaminimet më të specializuara të kryera nga ekspertët e FBI”, deklaroi Rama.

Prokuroria, sipas ekspertizës së FBI-së, deklaron se ka prova përtej cdo dyshimi se në serverin e kamerave të sigurisë së Kryeminsitrisë janë kopjuar xhirimet e 21 janarit dhe më pas janë fshirë enkas për të mos u vënë në dispozicion të prokurorisë për të kryer hetimet. Për këtë arsye ajo ka kërkuar arrestin e specialistit të IT-së në Kryeministri, Armando Kasaj.

“Ekzaminimet më të specializuara të lobaratorëve të FBI-së, konfirmuan përtej çdo dyshimi se në datë 21.01.2011, nga ora 19:24’ deri 19:36’, nga pajisja regjistruese e këtij sistemi janë kopjuar të dhënat e regjistruara duke i hedhur në një pajisje të jashtme, që mund të jetë Hard Disd, USB, DVD dhe DVD-writer. Në momentin që kanë ndodhur ngjarjet kanë qenë në punë 11 kamera, të cilat kanë qenë të programuara të kryejnë filmime të cilësisë së lartë. Filmimet e regjistruara nuk u vunë dhe janë vënë ende në funksion të hetimit të Prokurorisë, dhe në datë 22 janar 2011, ora 00.51, pajisjes i është bërë formatim të Hard Diskut duke fshirë kështu çdo regjistrim që kish bërë deri në atë kohë, përfishrë dhe filmimet e ngjarjeve gjatë protestës”, saktësoi Rama.

Ina Rama gjatë konferencës së saj për shtyp theksoi faktin se prokuroria ka cmuar që tre personat të merrnin masën e sigurisë arrest mne burg, pavarësisht se gjykata dha arrestin shtepiak. Kreu i prokurorisë bëri të ditur edhe procedurën e ndjekur prej saj për hetimin, nëse kishte nxitje për ushtrim dhune nga ana e protestuesve apo jo, një cështje për të cilën akuzohet nga kryeministri Berisha.

Ina Rama deklaroi se vetë policia e Tiranës, e ngarkuar me këtë hetim i referoi prokurorisë pushimin e cështjes duke mos gjetur asnjë provë për organizatorët. Por, shtoi zonja Rama, prokuroria çmoi se duhet të vazhdonte hetimet për të arritur në konkluzionin përfunditmar dhe se i ka kërkuar Parlamentit heqjen e imunitetit për tre deputetë socialistë.

“Për të sqaruar plotësisht pozicionin e deputetëve Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Taulant Balla në raport me ngjarjet e datës 21.01.2011, për veprën penale të “organizimit dhe pjesmarjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, lind e domosdoshme kryerja e disa veprimeve hetimore ndaj tyre. Për këto arësye, Prokuroria e Përgjithshme, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë sot, më datë 23.01.2012, dhënien e autorizimit për procedim të këtyre deputetëve”, shtoi Rama.

Kryeprokurorja tha se për dy të vrarët Hekuran Deda dhe Aleks Nika, hetimi vazhdon dhe për këtë arsye ende nuk ka asnjë veprim ndaj të dyshuarve për vrasjen e tyre.

Top Channel