Nigeri, mbi 180 të vdekur në Kano

23/01/2012 21:35

Policia nigeriane ka përditësuar në 184 bilancin e të vdekurve në sulmet e tre ditëve më parë në qytetin e Kanos, që i janë atribuar sektit ekstremist islamik Boko Haram.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore, sipas të cilave 29 nga viktimat janë agjentë policie, ndërsa rreth 150 të tjerë janë civilë.

Forcat e rendit shtojnë se në qytet janë gjetur qindra bomba të pashpërthyer në vetura apo furgone të parkuara përpara komisariateve dhe postoblloqeve të policisë.

Atentatet e orëve të natës të së premtes u kryen me shpërthime të koordinuara. Gjithashtu, të shtëna armësh u dëgjuan në disa zona.

Grupi militant islamik Boko Haram mori përsipër autorësinë e sulmeve. Ai ka qenë pjesë e fushatës së dhunës gjatë muajit të fundit, sidomos në veri të vendit afrikan.

Grupi në fjalë ka sulmuar edhe shumë kisha dhe popullsinë e krishterë dhe për shkak të aktiviteteve të tij vitin e kaluar u fut në listën e zezë të administratës amerikane.

Top Channel