Forumi Ekonomik Botëror, fokusi tek Eurozona

25/01/2012 15:15

Kriza e Eurozonës dhe impakti i saj botëror do të dominojnë bisedimet në Forumin Ekonomik Botëror, i cili nisi punimet ditën e mërkurë.

Kancelarja Angela Merkel do të jetë e para midis liderve shtetërore që do t’i adresohet 2 600 sipërmarrësve dhe biznesmenëve, ndër më të mëdhenjtë në botë, në resortin zviceran malor të Davosit.

Temat e tjera që do të debatohen janë e ardhmja e kapitalizmit, rritja ekonomike e Kinës, rregullatorët shtesë financiarë dhe e ardhmja e protestave popullore kudo në botë.

Forumi, i cili mbahet për të 42-tin vit radhazi, do të grumbullojë 40 krerë shtetesh dhe 19 prej 20 guvernatorëve të bankave qëndrore të 20 vendeve më të zhvilluara në botë. Disa qindra sindikalistë, akademikë, sipërmarrës dhe manjatë plotësojnë numrin e pjesëmarrësve.

Forumi 5-ditor nuk do të dalë me rezultate konkrete, por në të shkuarën, përfundimet e tij janë reflektuar dukshëm në politikat ekonomike të muajve në vazhdim.

Për ekspertët, me interes pritet ballafaqimi i mendimeve të shumta rreth mënyrës se si duhet të veprojmë shtetet përballë krizës së vendeve të Eurozonës.

Top Channel