“Shqip”: Modeli ekonomik i Shqipërisë

30/01/2012 00:00

Në një fjalim përpara grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha u ndal gjerësisht gjatë së hënës në arritjet e rëndësishme të modelit ekonomik të ndjekur nga qeveria e tij.

Por, a është me të vërtetë ky modeli i duhur për Shqipërinë? Në studion e Rudina Xhungës, në emisionin “Shqip”, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skëndër Gjinushi dhe analistët Henri Çili dhe Olsi Baze, debatuan rreth fjalimit të kryeministrit për ekonominë shqiptare.

Duke nisur i pari bisedën, Ngjela foli për një pasqyrë të zymtë. ”Rënimi ekonomik është vepër e tij (Berishës). 7 miliardë më shumë që thotë se ai ka mbledhur për mua nuk janë tregues. Nuk ka rëndësi sa mbledh, por çdo bësh me to”, theksoi Ngjela.

Duke hyrë më thellë në analizë, “Avokati” vlerësoi se: “Këto para i janë hequr tregut dhe unë mendoj se nëse nuk bën gjë, më mirë lërja paratë tregut. Riktheja paratë ose mos ia prek. Është e qartë që ka rënë fuqia blerëse. Qeveria nuk ka asnjë plan që se si nxitet kapitali për investime. Ka shtatë miliardë euro nëpër banka, shumica kanë shkuar për ndërtime… E dini çfarë ka ndodhur? Një rikthim në vitin 1943. Atëherë, kapitali tregëtar ishte i madh brenda vendit, por nuk kishte kapital industrial deri sa erdhi komunizmi. Sistemi i ri mori kapitalin tregëtar dhe e investoi në kapital induistrial. Ra ai sistem dhe kaluam në një sistem tregtër. Aktualisht, s’ka prodhim industrial, jemi prapë si në 1943-shin, por s’dimë si të kthejmë kapitalin që kemi në kapital industrial. Këtë e bën shteti, kjo është parë në Korenë e Jugut me një sukses të madh, por këto vende janë drejtuar nga manaxherë të mëdhenj dhe jo nga kardiokirurgë. Këta të fundit, nuk mund të realizojnë këto ndryshime”.

Nga ana e tij, Henri Çili i bëri një oponencë të fortë Shqipërisë që sheh Ngjela. Duke reaguar rreth vlerësimeve pesimiste, Çili shprehu “habi që modeli i Kryeministrit nuk u përgëzua”. “Berisha mbajti një fjalim në frymën e përbotshme, duke sjellë dyshimet mbi kapitalizmin. Foli për reformat e domosdoshme, përnevojën e çuarjes përpara të privatizimeve dhe liberalizimit të ekonomisë”, shtoi Çili.

Sipas tij, debati ekonomik është i mirë jo vetëm për të zhvendosur vëmendjen nga fryma “ushtarako-politike” e përcjellë një javë më parë me vendimet e Prokurorisë, por është i rëndëshëm pasi përmban edhe interesin më të madh të kombit. “Personalisht, mua më pëlqeu fjalimi  i Berishës. Më pëlqeu dhe si moment i javës politike, për t’u zhvendosur nga debatet e javës së kaluar, që tashmë janë çështje të drejtësisë… Më duket një normalizim dhe një ndër temat që duhet tërhequr shoqëria shqiptare. Megjithatë, mendoj se është fakt që cilësia e jetës është përmirësuar në vitet e fundit. Nuk kemi ndërprerje dritash, kemi rrugë më të shpejta, flasim më lirë në celular dhe të ardhurat për frymë janë rritur në 7-10 mijë dollar për frymë”.

Pjesë e opozitës dhe oponent i hershëm i politikave qeveritare, Gjinushi debatoi duke vendosur në pikëpyetje shifrat e parashtruara më parë gjatë ditës nga Kryeministri. “S’mund të kesh sukses në drejtim e një vendi, me një qeveri që është në konflikt me të gjitha institucionet kryesore. Kriza ekonomike përkthehet me tre fjalë, paaftësi, korrupsion dhe papërgjegjshmëri”, vlerësoi Gjinushi.

“Sa është rritja ekonomike në raport me veten dhe të tjerët? Kjo qeveri premtoi rrritje 7-8% në mandatin e saj të parë, por nuk kapi as 5,5%. 2% më pak janë një miliardë euro më pak nga buxheti dhe xhepat e shqiptarëve. Tani, rritja është 1-2 dhe edhe kjo e sforcuar, pasi shifrat nuk janë të rregullta. Nga 97 mijë subjekte ekonomike, gjysmat, sipas censusit dhe Berishës janë krijuar pas 2005-s.  Por, si ka mundësi që ndërsa numri i bizneseve qënkan dyfishuar, numri i papunësisë zyrtarisht ka mbetur i njëjtë, por realisht është rritur”.

Në vazhdim të idesë së tij, Gjinushi shpjegoi se: “Rritja ekonomike është një nocion që duhet shpjeguar. Në vitin 2005, të ardhurat për frymë të Shqipërisë iu afruan vendeve të tjera më të varfëra të Ballkanit, Maqedonisë dhe Bosnjes. Sot, në 2012-n, diferenca po vazhdon të thellohet. Kryeministri gënjen, kur treguesi real është paga mbi çmime, e cila as nivelin e 2005-s nuk është. Pensioni, jo vetëm nuk është dyfishuar, por në vlerë absolute është rritur 20-30% dhe fuqia blerëse e pensionistëve është shumë më e dobët se disa vite më parë. Rrugët, ajo që krenohet qeveria, janë dështimi më i madh. Rrugët s’kanë mbërritur në Vlorë, Tepelenë, as në Fier… Durrës-Kukës ka shkuar katërfish. TEC-i i Vlorës s’është bërë. Privatizimet kanë qenë një tjetër dështim madhor i qeverisë. Në vitin 2004, me thatësirë dhe një çmim energjie dy herë më të ulët, KESH-i kishte rreth 100 milion euro fitime. Sot, arka e tij është bosh dhe shteti duhet të paguajë që të mos falimentojë. Të gjitha shifrat manipulohen nga INSTAT, që tashmë do të kalojë nën varësinë e Berishës, për të mashtruar edhe më shumë”.

“Unë nuk do të flisja për një bilanc të tillë të zymtë”, vlerësoi nga ana e tij analisti Baze. “Në visionin për zhvillimin rrugët ishin kryesorja. Infrastruktura ishte e keqe, penalizonte transportin, bizneset dhe investimet. Pa investime në infrastruktë, gjithçka do të ishte një dështim i madh. Po futemi në një fushatë parazgjedhore dhe Berisha ka kuptuar se si kudo, ekonomia është çelësi kryesor i çdo platforme zgjedhore”.

“Ky njeri (Berisha) ka hapur një vrimë në ujë”, ironizoi Ngjela. “Më thoni ju se cili është ai shtet që duhet të privatizojë pasurinë kombëtare, për të siguruar fondet e radhës për të paguar pagat e administratës?”.

Në përmbledhje të idesë së tij, Ngjela foli për një vend që nuk prodhon asnjë pjesë sado të vogël të një ekonomie botërore tregu. Sipas “Avokatit”, kriza është e trefishtë, në ekonomi, në drejtësi dhe në arsim. Këto do të jenë sektorët kryesorë që do të reformohen sipas tij, në platformën e ndërtuar nga opozita.

Në vijim të fjalës së tij në Shqip, analisti Henri Cili kritikoi opozitën duke deklaruar se nuk ka ndërtuar një alternativë dhe se ka nevojë për ristrukturim dhe një retrospektivë në vetëvete. Çili shtoi më tej se opozita ka probleme të mëdha, Grupi LMN po bëhet gjithnjë e më shumë pre brenda PS, partitë që janë në koalicion me PS nuk e dinë si do të përfaqësohen në zgjedhje.

Ndërkohë, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela analizoi rrugën e ndjekur nga opozita pas zgjedhjeve të 2009-s. Sipas tij spiralja politike e ndjekur nga opozita coi në lindjen e asaj që ai e quajti “lëvizja Topi”. Topit zoti Ngjela i njohur disa merita në pozicionin e tij në krye të vendit dhe parashikoi spektrin e politikës së ardhshme në vend me dy kundërshtarë, Ramën dhe Topin.

“Spiralja politike që krijoi opozita në këto vite ka nxjerrë lëvizjen e Topit.  E djathta e kupton që nuk fiton dot me Saliun. Në spektrin e politikës së ardhshme do jenë dy kundërshtarë: Rama dhe Topi. Katër vitet e para Topi nuk mund ta marrë, ndërsa përsa i përket Sali Berishës, ai do të largohet nga politika. Topi nuk lejoi Saliun të vinte shtetin në dorë. Më në fund në të djathtën doli një figurë që ka karizëm dhe gëzon një opinion të shëndoshë në public. Topi frenoi Berishën të merrte pjesën natyrore të shtetit”, deklaroi zoti Ngjela.

Por për Henri Cilin, Bamir Topi del nga zyra e presidentit me shumë plagë politike: “Topi del nga kjo zyrë me plagë shumë të rënda djathtas. Një president që nuk ishte mbi palët, president me opozitën gjatë gjithë kohës dhe u kërkon vota të djathtëve. S’është me reputacion në opinion, në drejtësi veprimi i tij është esencial. Një nga precedentët më të ndyrë në jetën tonë politike është pikërisht ky që rivalitetin në politikë e bën nga një institucion i pavarur, është nëpërkëmbje e institucioneve të pavarura”.

Ndërsa kreu i Partisë Social-demokrate, Skënder Gjinushi vlerësoi Bamir Topin në kryerjen e detyrës së tij si president: “Topi nuk ka abuzuar asnjëherë në detyrën e tij. Atë më shumë e kanë kritikuar për heshtje. Përplasja me Berishën nuk është nisur nga Topi, por nga Berisha. Nuk e ha më njeri të thotë se ky është i majtë se doli kundër Berishës. Berisha të shpall armik nëse nuk mban anën e tij, të gjithëve edhe kur i ka zgjedhur vetë. Nëse ka një ngjyrë të djathtë është Bamir Topi, Berisha si në taktikë si në ngjyrë është i majtë ekstrem. Brenda së djathtës carja është reale. E majta ka problemet e veta, por ka mungesë mosbesimi nëse vota do numërohet apo jo. Ajo që duhet të bëjë opozitë është të këmbngulë të rikthejë votën e fshehtë në Kuvend, vota e fshehtë në Kuvend është baza e demokracisë”.

Top Channel