Dështoi me planin, shkarkohet kreu i CEZ

02/02/2012 08:05

Pas dy vjetësh e gjysmë në krye të “CEZ Albania”, Josef Hejsek është i detyruar të pranojë largimin nga posti, për shkak të mosrealizimit të objektivave të vendosura nga grupi i Pragës në Çeki.

Vendimi është marrë në mbrëmjen e datës 31 janar, kur bordi drejtues ishte mbledhur për të parë gjendjen e kompanisë pas vendimit të ERE-s me tarifat, nivelin e investimeve, arkëtimet dhe humbjet, të cilat kanë rezultuar negative dhe njëkohësisht fatale për kreun e CEZ-it.

Lajmin e ka konfirmuar një ditë më pas vetë kompania, me argumentin se “ndryshimi ishte i detyrueshëm për të mirën e CEZ”, dhe njëkohësisht bën publik edhe zëvendësuesin, Jaroslav Macek.

Macek ka mbajtur postin e shefit të operacioneve, ose më saktë ishte numri dy dhe kohët e fundit kishte nisur gradualisht të luante rol kryesor në drejtimin e shoqërisë.

Macek e njeh mirë terrenin e punës dhe në debatin e zhvilluar para disa ditësh në “Top Show” pranon se gjendja në CEZ nuk mund të ndryshohet menjëherë.

Nga ana tjetër, Hejsek u largua dje nga puna dhe nuk ka informacion nëse do të marrë ndonjë detyrë të re, pranë kompanisë, natyrisht jashtë Shqipërisë.

Ish-kreu i CEZ-it erdhi në Shqipëri në maj të 2009-s, pas një eksperience të gjatë në Bosnjë-Hercegovinë, në një nga degët e “CEZ Group”.

Shkaqet e largimit

Duhet thënë se nën drejtimin e Hejsek, CEZ krijoi jo pak situata përplasjesh me qeverinë dhe institucionet që mbulonin sektorin energjetik.

Natyra e tij, deri-diku e vështirë, solli në fillim përçarje mes vetë punonjësve të CEZ-it, duke ulur rendimentin për shkak të profesionalizimit të dobët, ndërsa gjetja e një ekuilibri për zgjidhjen e problemeve të shumta ishte shpeshherë “mision i pamundur”.

Planet e vendosura nga grupi i Pragës nuk u arritën në nivelin e duhur, sidomos te humbjet, të cilat vijojnë ende mbi 30 për qind, që konvertohet me kosto negative deri në 100 milionë euro për kompaninë, sikurse janë edhe arkëtimet, ende nën nivelin e 80 përqindëshit, madje më keq kur Shpërndarja menaxhohej nga shteti (dikur OSSH).

Pika kritike arriti kur kompania përgjysmoi investimet në vitin 2011, me rreth 22 milionë euro, duke lënë rrjetin e amortizuar dhe të dobët, e për pasojë vendi vuan nga mungesa e energjisë për shkak të ngarkesës.

Megjithatë, i vetëm Hejsek e kishte të pamundur t’i zgjidhte problemet e shumta me elektricitetin në Shqipëri, aq më tepër siç thoshte vetë ai, “punën e bën më të vështirë mentaliteti shqiptar për të mos paguar dritat”.

Situata në muajt e fundit arriti në atë pikë sa drejtuesit e CEZ-it nuk i priste njeri nga pala e shtetit, shkresat nuk merrnin përgjigje në kohë, ndonjëherë fare dhe se vendimet e ERE-s, për borxhin dhe çmimet i vunë “kapakun” raportit mes kompanisë dhe qeverisë.

Shitja, njëri opsion

Prej kohësh po diskutohet mundësia e shitjes së aksioneve të CEZ-it te një kompani private e huaj (fqinj me Shqipërinë), në kuadër të skadimit të afatit trevjeçar, që i jep të drejtë të rishohë disa opsione, në interes edhe të qeverisë.

Për çekët, largimi nga Shqipëria do të përbënte kosto imazhi dhe dështim, sado vend i vogël jemi, sikurse nga ana tjetër, ikja do të shkaktonte pasoja edhe për vendin tonë.

Enti Rregullator i Energjisë shpeshherë ka paralajmëruar CEZ-in për shkeljet e kryera, duke e gjobitur me 300 mijë lekë, por tani që ligji ka ndryshuar, ndëshkimi llogaritet si përqindje në bazë të xhiros vjetore, që do të thotë gjobë të paktën 2 milionë euro e sipër.

Nga ana tjetër, ERE i ka mundësitë t’ia heqë licencën CEZ, pasi sikurse thotë vetë enti, jo pak herë kompania është “kapur me fakte” se ka shkelur shumë rregulla.

Nëse ndodh kjo, për çekët nuk do të ishte gjë e mirë, por natyrisht që CEZ-i i ka marrë masat paraprake për të mos arritur deri në këtë pikë.

Largimi nga Shqipëria nuk do të realizohet pa u vendosur në zbatim disa mekanizma që e nxjerrin fitues financiarisht kompaninë, duke nisur me garancinë te Banka Botërore, me vlerë 60 milionë dollarë, deri në gjykatën e arbitrazhit.

Megjithatë, palët do të jenë të kujdesshme të mos arrijnë në gjykatat e huaja, por ta zgjidhin ndër vete konfliktin, i cili kërkon çmim të lartë. “Ndryshimi ishte i detyrueshëm për të mirën e CEZ”, njoftoi zyrtarisht kompania çeke
 
Privatizimi, 102 mln euro

Më 11 mars 2009, qeveria e Shqipërisë dhe “CEZ Group” hartuan dhe nënshkruan kontratën për përvetësimin e 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).

Duke pasur ofertën më të mirë, CEZ u përzgjodh si fitues nga komisioni tenderues në tetor 2008 dhe kompania filloi të administrohej zyrtarisht nga CEZ më 30 mars 2009. Vlera e kontratës për shumicën e aksioneve të OSSH-së është 102 milionë euro.

Jaroslav Macek

Drejtori i Operacioneve në CEZ do të jetë tashmë kreu i përgjithshëm i kompanisë. Ai praktikisht prej kohësh kishte marrë drejtimin e shoqërisë, duke zëvendësuar herë pas here Hejsekun.

Top Channel