
Kina është duke konsideruar mundësinë që të kontribuojë në fondin europian të shpëtimit, lajmëroi kryeministri Ëen Jiabao, gjatë një takimi të shkurtër me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Superfuqia komuniste është vendi me rezervat më të mëdha të monedhës së huaj, për një total prej 3,2 trilion dollarësh dhe me një ekonomi në rritje, Kina është aktualisht vendi më i angazhuar në huadhënie.
Nga ana e saj, Merkel i shprehu homologut të saj garanci për rimëkëmbjen e ekonomisë europiane. Në vizitën e saj dy-ditore në Pekin, në axhendën e bisedimeve do të jenë edhe Irani e Siria.
Në prononcimin e saj për reporterët, Kancelarja shprehu vendosmërinë e saj për të mos lejuar krijimin e një fuqie të re bërthamore, sidomos në shtete politikisht të paqëndrueshme.
Për të arritur këtë synim, ajo i kërkoi autoriteteve kineze që të përdorin influencën e tyre ndaj Teheranit dhe të bashkohen me sanksionet e shpallura më parë nga SHBA dhe BE.
Nga ana e tij, Kryeministri Jiabao tha se: ”Zgjidhja e krizës së Eurozonës është e një përparësie urgjente dhe shumë e rëndësishme për të gjithë planetin. Kina është duke konsideruar mundësinë e një përfshirje më të madhe në zgjidhjen e krizës së borxheve, duke u bërë pjesë e mekanizmit të shpëtimit të hartuar nga liderat e BE-së”
Fondi i shpëtimit është pjesë e strategjisë së Brukselit për të rikthyer ekonominë europiane në binarë. Ai do të ketë një vlerë prej 500 miliardë eurosh, por është ende e paqartë se cili shtet do të jetë kontribuesi më i madh.
Top Channel