Romët në pritje të shtëpisë

02/02/2012 16:30

Tetë familjet rome janë në pritje të një vendimi të menjëhershëm për strehimin e tyre, ndërkohë që vazhdojnë të qëndrojnë në institucionin e Avokatit të Popullit.

”Jemi ngrohtë dhe mbrëmë kemi kaluar mirë. Na sollën edhe ushqime, por nuk kishim ku t’i gatuani dhe mbrëmë fjetëm pa ngrënë. Kemi oriz, fasule, por nuk kemi se ku t’i gatuajmë këtu. Prandaj i bëjmë thirrje shtetit që të na gjejë një sistemim sa më të shpejtë përfundimtar, sepse deri tani e vetmja gjë që ka bërë është të vjedhë fondet që janë akorduar për ne”, shprehen dy gra rome.

Vendosja e familjeve rome në zyrat e Avokatit të Popullit ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtareve, të cilet jo vetëm kanë vizituar familjet rome e kanë dërguar disa ndihma, por kujtojnë se një nga 12 kërkesat e BE-së është respektimi i të drejtave të komunitetit rom.

”Dua të kujtoj se një prej 12 kritereve të vendosura për Shqipërinë për integrimin në Bashkimin Europian, është edhe respektimi i të drejtave të komunitetit rom”, tha kreu i përfaqësisë së BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi.

Edhe ambasadorja e Zvicrës, Yvana Enzler, vizitoi zyrat e Avokatit të Popullit dhe shprehu besimin se qeveria shqiptare do të gjejë një zgjidhje për situatën e tyre, pasi sipas saj, ekziston një vullnet i mirë nga të gjitha palët.

Zvicra është një prej vendeve të shumta që kanë financuar OJQ-të shqiptare, të cilat sipas ambasadores, kanë ndihmuar në përmirësimin e kushteve të jetës së romëve në vendin tonë.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, u shpreh se tashmë të gjitha strukturat janë vënë në lëvizje për zgjidhjen e problemeit të familjeve rome. “Kam një informacion që gjërat kanë filluar të lëvizin, por mbase nuk jam unë personi i duhur për të thënë se kur dhe si do të zgjidhet problemi. Sidoqoftë, këta njerëz janë këtu dhe do të qëndrojnë në këtë institucion deri në gjetjen e zgjidhjes së problemit”, u shpreh Totozani.

Tetë familjet rome dhe femijët e tyre do të kalojnë edhe një natë tjetër në zyrat e institucionit të Avokatit të Popullit, ndërkohë që pritet që Ministria e Punës dhe çështjeve sociale të gjejë vendstrehim për ta.

Top Channel