Biznesi: Politika të lërë konfliktet

02/02/2012 19:55

Biznesi i kërkon politikës që në kulmin e krizës ekonomike të lërë mënjanë përplasjet dhe të  përqendrohet tek sipërmarrja.

“Përshkallëzimi i krizës kërkon në mënyrë absolute stabilitet politik dhe dialog mes klasës për të miratuar ato 2-3 ligje të rëndësishme që kërkojnë 3/5 dhe që biznesi i ka të domosdoshme urgjentisht”, u shpreh Luan Bregasi, president i “Business Albania”.

”Business Albania” organizoi në Tiranë bashkë me Fakultetin Ekonomik një konferencë me temë qëndrore se si kriza po prek sipërmarrjen dhe çfarë duhet bërë për ta përballuar atë.

Zoti Bregasi shfytëzoi praninë e guvernatorit për të deklaruar se biznesi nuk po përfiton nga ulja e normës bazë.

”Bankat e nivelit të dytë nuk e kanë transmetuar këtë zbritje në normat e aplikuara prej tyre, kryesisht tek kredia për biznesin. Kërkohet prej Bankës së Shqipërisë që të monitorojë kostot e produkteve bankare dhe të stimulojë transparencën e bankave të nivelit të dytë”, tha Bregasi.

Guvernatori Ardian Fullani, i pranishëm në takim, tha se politika e Bankës Qëndrore ka qenë gjithmonë në krah të mbështetjes së biznesit, por edhe ky i fundit duhet të bëjë pjesën e tij për t’u formalizuar, qe do të rriste shanset për kredi.

”Zbatimi i kërkesave ligjore për rakordimin financiare dhe transparencën, mbështet fuqishëm rritjen dhe përmirëson cilësinë e huave e investimeve”, u shpreh Fullani.

Në konferencën e organizuar me mbështetjen e biznesit ishte i ftuar edhe Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, i cili tha se qeveria do ulë edhe më shumë kostot për biznesin, duke reduktuar inspektimet.

Top Channel