“Policia dështoi më 21 janar”

06/02/2012 00:00

Gjatë një raport inspektimi, Kontrolli i Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka konstatuar fakte tronditëse në lidhje me zhvillimin e protestës së opozitës më 21 janar 2011, ku humbën jetën katër shtetas.

Raporti fillon me një pasqyrë të të dhënave, të thëna edhe më parë nga policia dhe qeveria, dhe që sipas policisë ishin mbledhur në datën 19 janar e në vazhdim, se nga ana e organizatorëve të protestës godina e Kryeministrisë do të goditet me gurë, mjete të forta dhe vezë.

Të dhënat e tyre referonin për pjesëmarrje të elemntëve të dhunshëm në protestë, si dhe të atyre që mbajnë armë zjarri për shkak të punës së tyre si policë bashkiakë në rrethe të ndryshme të vendit.

Drejtoritë e policisë së Durrësit, Fierit dhe Shkodrës kanë informuar sipas asaj që shkruhet në raport se, elemenetët kriminalë që do të udhëtonin për në Tiranë në datën 21 janar u ishte kërkuar të kishin me vete shkopinj dhe shishe me benzinë.

Sipas Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, nga ana e ish-drejtorit te policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj, në cilësinë e drejtuesit të operacionit, i është kërkuar në komunikim me radio Gardës së Republikës që të ndalojë sulmin me armë.

Raporti evidenton faktin se një ditë më parë ishin urdhëruar të gjitha forcat që do të ishin në shërbim më datë 21, se askush, në asnjë rrethanë nuk duhet të përdorte armë, madje as që duhet ta vinin dorën në armë.

Ndër faktet që publikohen për herë të parë në këtë raport është komunikimi në radio i policisë atë ditë. Nga Drejtoria e koordinimit dhe kontrollit të territorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është kërkuar kontakti me sallën e emergjencave për të përdorur një helikopter me lëndë lotsjellëse ndaj protestuesve.

Urdhëri për këtë helikopter u dha pas një tentative të parë të hedhjes së gazit lotsjellës ndaj protestuesve, ku rezulton se, për shkak të mosllogaritjes së drejtimit të erës, gazi i hedhur në drejtim të demonstruesve kthehej në vendin e dislokimit të forcave të policisë që ranë nën efektin e këtij gazi.

Efektivat e policisë, sipas raportit, ishin të papajisur me mjete mbrojtëse, duke bërë që të bnin në efektin e gazit më shumë ata sesa protestuesit.

Zinxhiri i gabimeve të policisë u pasua nga fakti që automjetet ujëhedhëse, që ishin veprimi i dytë për ndarjen e protestuesve, nuk u shoqëruan me punonjës policie të cilët ishin nën efektin e gazit, dhe për pasojë edhe ky veprim i dytë nuk realizoi shpërndarjen e protestuesve.

Por as policia rrugore nuk ngel jashtë fokusit të hetimit, i cili shpjegon se, nëse do të respektonte urdhërat e dhëna, nuk do ta rëndonte situatën kur një automjet dëmtoi një nga portat e Kryeministrisë.

Urdhërat ishin të prerë për boshatisjen e bulevardit dhe rrethinave të Kryeministrisë nga automjetet e parkuara dhe po ashtu që asnjë prej makinave nuk duhet të lëvizte në drejtim të Kryeministrisë.

Mosvperim ky që kushtoi djegien e disa automjeteve. Në këtë raport thuhet se gjatë hetimeve nuk ka patur asnjë ankesë nga qytetarët për ushtrim dhune nga ana e policisë, edhe pse, në selinë e Partisë Scocialiste ka patur një numër të madh protestuesish të cilët dëshmuan për akte të rënda dhune.

Përvec kësaj, lideri i opozitës, po ato ditë, do të vizitonte në Spitalin Ushtarak të Tiranës, disa prej tyre që kishin hematoma të rënda nga dhuna e ushtruar.

Sipas këtij raporti, rezulton se nuk ka asnjë ankesë në formë verbale apo shkresore në Policinë e Shtetit për ushtrim dhune. Hetuesit e SHKB-së, në raportin prej 46 faqesh, kanë evidentuar edhe të tjera mangesi në punë nga ana policisë ditën e 21 janarit.

Hetimi i SHKB-së evidenton faktin se krerëve të policisë u mungoi komunikimi i vazhdueshëm me organizatorët e tubimit, i cili duhej të kryhej në respekt me ligjin përkatës.

Ndërhyrja e policëve për shpërndarjen e protestuesve është bërë me vonesë, sipas raportit. Ata nuk kishin kaska mbrojtëse dhe kundragaz.

Fakti që mungon trajnimi për përballimin e situatave të tilla, si edhe rreshtimi i policëve përpara Kryeministrisë tre orë përpara fillimit të protestës, cfarë i dha atyre lodhje.

Në ndryshim nga sa ishte thënë përgjatë 12 muajve, nga 21 janari 2011 deri në 21 janarin e këtij viti, ku u lavdërua puna e policisë me planin e masave dhe zbatimin e tij, raporti i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm zbulon anën e dobët të veprimtarisë së forcave të ruajtjes së rendit dhe të atyre që ishin ngarkuar për garantimin e protestës dhe të rendit publik në 21 janar.

Një raport që kritikon drejtuesit dhe oficerët e lartë të policisë, por edhe vetë policinë shqiptare, si të papërgatitur për të përballuar situatat.

Një raport që gjithësesi të lë të dyshosh në më shumë se një aspekt për kohën kur iu shpërnda drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe policisë dhe për atë cka mund të ndodhë në ditët dhe javët në vijim.

Raporti e ndal zinxhirin e komandës deri tek ish-drejtori i policisë së Tiranës. Raporti nuk prek apo zbardh misterin e madh, kush urdhëroi hapjen e zjarrit. Raporti përmend komandantin e operacionit që kërkoi ndalimin e zjarrit, por jo atë që urdhëroi fillimin e tij.

Top Channel