Hipotekë për firmat e falimentuara

07/02/2012 00:00

Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese miratoi një ligj, që ka
për qëlllim të pajisë me hipotekë qytetarët, të cilët banojnë në
apartamente të ndërtuara nga kompani ndërtimi të falimentuara.

“Natyrshëm ky projektligj, ky amendim që kërkohet sot i ligjit bazë, prek një numër më të vogël, por vjen këtu pikërisht për mbështetur një kategori të caktuar qytetarësh, të cilët kanë paguar dhe për fajin jo të tyrin, por të investitorit, nuk e hipotekojnë dot për mungesë të kolaudimit. Eshtë e përcaktuar qartë që në nenin 1 të këtij projektligji, që bëhet fjalë pikërisht për investitorë, apo ndërtues që nuk kanë emëruar kolaudatorin pa shkak të vlefshëm ligjor, brenda tre vjetësh dhe që figurojnë të çregjistruar, kanë falimentuar dhe janë likujduar”, tha deputeti demokrat, Ardian Turku.

Ligji prek ato apartamente, të cilat kanë përfunduar dhe ku banojnë qytetarë, por që nuk kanë përfunduar proceset e regjistrimit dhe kolaudimit, për shkak se ndërtuesit kanë falimentuar.

Eduard Shalsi, deputet i PS-së thotë se ligji është i paplotë dhe që në fillim i dështuar.

“Kemi shqetësime serioze në lidhje me aplikimin e këtij ligji. E konsiderojmë të pamundur edhe në amendimet e dyta. Jemi gati të vendosim ekspertizën tonë për të parë edhe njëherë këto amendime të dyta në mënyrë që të shkojmë në parlament me një ligj që do të zgjidhë probleme. Ligji i Legalizimeve ka një eksperiencë që megjithëse është amenduar në mënyrë të pambarimtë shumë nga problemet, ende nuk i ka ezauruar”, tha Shalsi.

Sipas draftit, kostot për regjistrimin e këtyre ndërtesave dhe kolaudimin e tyre deri në marrjen e hipotekave i ngarkohen njësive të pushtetit vendor. Për këtë shkak ligji krijoi që në fillim përplasje mes Ministrisë së Transporteve dhe Bashkisë së Tiranës, që është më e prekura financiarisht nga ky ligj.
 

Top Channel