Balla: Situatë dramatike në Steblevë

08/02/2012 19:35

Situata e rënduar e motit dhe rreshjet e vazhdueshme të dëborës kanë bllokuar krejtësisht zonën e Steblevës dhe Sebishtit, midis Librazhdit dhe Dibrës, duke krijuar një emergjencë humanitare.

Lajmin e dha deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla, që citoi burimet vendore, ndërsa i bëri thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë menjëherë.

“Ministria e Shëndetësisë duhet të reagojë menjëherë dhe të dërgojë helikopterë në zonat e goditura nga moti i keq”, deklaroi Balla.

“Në Stëblevë, tre të sëmurë kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore, ndërsa banorët e këtyre zonave kanë nevojë urgjence për ushqime dhe medikamente”, tha ai.

Balla gjithashtu informoi se situata është shumë e rënduar edhe në komunat Stavraj dhe Rrajcë, ku përveçse të bllokuar, banorët nuk kanë as mjete ngrohje, me energjinë elektrike që mungon prej disa ditësh.

Top Channel