Aleanca Kuqezi formon strukturat

11/02/2012 00:00

Një ditë pas dorëheqjes nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Kreshnik Spahiu drejtoi aktivitetin për krijimin e bordit të Aleancës Kuqezi për kryeqytetin.

Në fjalën e tij, Spahiu e cilësoi qeverisjen e sotme të vendit si një “qeveri otomane” dhe aspak perëndimore, sikurse pretendon ajo.

“Nuk mund të ketë një Tiranë evropiane me një qeverisje otomane. Për herë të parë në historinë e BE-së, shqiptarët u lanë jashtë. Dy herë u refuzua statusi i kandidatit për shkak të papërgjegjshmërisë së politikës së sulltanëve shqiptarë”, deklaroi Spahiu.

Ish-nënkryetari i KLD-së theksoi se Aleanca Kuqezi ofron alternativën më të mirë për ta futur Shqipërinë në rrugën e integrimeve evropiane.

“Aleanca Kuqezi nuk është rrezik për Shqipërinë, por është alternativa më e mirë për stabilitetin në rajon. A janë të rrezikshëm këta intelektualë e këta qytetarë? Jo, sepse kjo është alternativa më e mirë kundër sulltanëve të politikës”, u shpreh Spahiu.

Kreshnik Spahiu lajmëroi dorëheqjen e tij të parevokueshme nga detyra zyrtare në një konferencë për shtyp mëngjesin e së premtes.

Ai e argumentoi vendimin e tij me pamundësinë e një gjykimi të paanshëm nga Gjykata Kushtetuese për padinë që ai ka ngritur kundër mazhorancës.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi e cilësoi dorëheqjen e parevokueshme të Spahiut si nënkryetar dhe anëtar i KLD-së si një veprim personal.

“Ai ka respektuar të drejtën e tij dhe nuk dëshiroj të bëj asnjë lloj interpretimi. Unë respektoj aktin e tij”, deklaroi Topi, i cili njoftoi se zëvendësimi i ish-vartësit të tij do të bëhet së shpejti. 

Top Channel