Disa dyqane janë djegur dhe qindra të tjerë janë dëmtuar në vazhdën e valës së dhunës që ka përfshirë Athinën.

Deri në orën 22.00 (sipas orës lokale), përleshjet vazhdonin në sheshin Sintagma dhe në rrugët periferike të tij. Përleshjet më të dhunshme u shënuan në sheshin Korai përballë Akademisë së Athinës ku disa persona u plagosën dhe u dogj tërësisht një dyqan i firmës “Starbucks” si dhe një bankë.

Disa dyqane të kompanive më të mëdha ndërkombëtare të modës janë shkatërruar dhe grabitur nga anarkistët. Përleshje janë shënuar edhe në rrugën Stadhiu ndërsa në spital janë dërguar dhjetëra persona të plagosur me sende të forta dhe me probleme me frymëmarrjen si pasojë e gazit lotsjellës dhe kimikateve që kanë mbuluar qendrën e kryeqytetit grek.

Mijëra qytetarë vazhduan të qëndronin nëpër rrugë, ndërsa zjarrifikësit dhe shërbimi shëndetësor i Athinës u bën thirrje protestuesve të lejojnë automjetet e tyre të transportojnë të plagosurit dhe të shuajnë zjarret.

Situata është qetësuar paksa në orët e para të mëngjesit kur në Parlamentin grek u votua pranimi i masave drastike për reformën ekonomike të qeverisë.

Top Channel