Durrës, sekuestrohet drogë në port

16/02/2012 00:00

Dy të rinj janë arrestuar në flagrancë nga shërbimet e policisë së
kufirit në Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e
tyre janë gjetur të fshehura mbi 36 kg hashash.

Sasia e bimës narkotike ishte fshehur në gomat e një automjeti fuoristradë i tipit “Honda” me targë “AA 108 AY”, që do të udhëtonte drejt Italisë.

Drejtoria e policisë rajonale të kufirit dhe migracionit në Durrës njoftoi arrestimin e shtetasve Julian Përduka, 22 vjeç nga Lezha dhe Fisnik Hyseni, 20 vjeç nga Fieri. Dy të rinjtë ndodheshin në mjetin ku u gjet droga.

Burime portuale bëjnë të ditur se prania e dy të rinjve nga zona të ndryshme të vendit ka shtuar dyshimet për një kontroll më të imët të automjetit. Kontrolli i realizuar në pikën e posaçme të kontrollit të mjeteve në terminalin e trageteve rezultoi pozitiv.

Brenda këtij viti në portin e Durrësit janë sekuestruar 860 kg lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë dhe 10,1 kg heroinë, ndërkohë që të arrestuarit e vetëm janë drejtuesit e mjeteve ku janë gjetur sasitë përkatëse.

Të gjithë të arrestuarit janë persona pa precedentë penalë, të panjohur më parë si kontigjent kriminal nga policia e shtetit.

Ndërkohë, ditën e martë një sasi prej një ton lënde narkotike e të njëjtit lloj e nisur nga Shqipëria u konfiskua nga roja bregdetare greke, në afërsi të plazhit të Patrës, ku u arrestuan 4 persona.

Top Channel