Prishtina dhe Beogradi kanë përafruar qendrimet e tyre dhe në marrëveshjet e ardhshme që do të nënshkruhen Kosova do të prezantohet si shtet sovran dhe i pavarur.

Kryeministri Hashim Thaci konfirmon për Top Channel se në konkluzionet e arritura një ditë më parë, Kosova do të përfaqësohet në raport me Serbinë në bazë të deklaratës së pavarësisë, vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare dhe rezolutës 12-44.

Në një bisedë telefonike, zoti Thaci thotë se ka edhe një avancim europian në këtë drejtim për të ardhmen e Kosovës.

“Sa i përket bashkëpunimi rajonal me Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja duhet dhe do të reflektojë dy realitetet ekzistuese, atë të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës dhe Serbisë që e njeh këtë realitet. Nga dje kemi propozim më të balancuar që reflekton realitetin në Kosovë. Pozicioni ynë ka qenë për t’u angazhuar për të ardhmen substanciale europiane të Kosovës se sa për cështje simbolike. Nga dje kemi një avancim në këtë drejtim. Përfundimisht në këtë marrëveshje Kosova do të prezantohet si shtet i pavarur dhe sovran pra me versionin e fundit Kosova do të mbetet e pavarur dhe sovrane. Gjithashtu edhe opinion i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e konfirmon ndërkombtarisht shtetin e Kosovës, por dhe rezolutën 12-44 që respekton dhe garanton integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe prezencën e NATO-s. Por tani kemi një avancim europian, sepse ishte e padrejtë gjithë kjo vonesë europiane në raport me prespektivën europiane të Kosovës, në vecanti sa i përket përshpejtimit të procesit të liberalizimit të vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe tregtare me BE-në, anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në BERZH dhe fillimin e shpejtë të procesit të stabilizim-asociimit. Këto janë konkluzionet e përbashkëta, mes dy shteteve në nivele të barabarta. Për Kosovën do të përfshihet deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008, do të përfshihet opinion i GJND-së dhe rezoluta 12-44 që garanton integritetin territorial të Kosovës, por dhe pako substanciale që garanton të drejtën europiane”, deklaroi kryeministri Thaci.

Top Channel