Kreditë e këqija, bizneset zënë pjesën më të madhe

20/02/2012 08:00

Kreditë e këqija në Shqipëri kanë arritur në 18.3 për qind të totalit të portofolit, por kreditë e dhëna biznesit kanë rezultuar më të këqija se sa ato që i janë dhënë individëve, publikon gazeta ‘Shqip’.

Lajmi bëhet i ditur nga një analizë e qeverisë, e publikuar në Programin Ekonomik dhe Fiskal 2012-2014. Sipas të dhënave, kredimarrësit individualë, edhe pse janë më të shumtë në numër se sa bizneset, kanë rezultuar klientë më të mirë që nga viti 2004. Në vitin 2011, 20.5 për qind e kredive të dhëna bizneseve rezultuan me vonesa mbi tre muaj, ndërkohë që 15.4 për qind e kredive të dhëna për individët shfaqën vonesa. Biznesi ka qenë gjithmonë klient më i keq për bankat se sa individët.

Në vitin 2004, kur tregu i kreditit sapo filloi të lulëzojë, 5.4 për qind e kredive të dhëna sektorit privat konsiderohej si kredi me probleme kundrejt 1.5 për qind që ishte norma për kreditë për individët. Kreditë e këqija shënuan rritje dramatike pas vitit 2008, kur kriza financiare botërore vuri në vështirësi një pjesë të klientëve, ndërsa bankat u përballën me faktin që gjatë viteve të bumit të kreditit, patën dhënë kredi të dobëta përkundrejt kolateraleve me vlerë të dyshimtë.
 
Kreditë e këqija

Bankat në Shqipëri klasifikojnë si kredi të këqija çdo kredi që ka shfaqur vonesa në pagesë më të mëdha se 3 muaj. Por një pjesë jo e vogël e këtyre kredimarrësve janë thjesht duke kaluar një periudhë të vështirë, ose e kanë kaluar më parë një periudhë të vështirë. Shumë prej tyre rikthehen te pagesa e rregullt, por pavarësisht kësaj, vijojnë të klasifikohen si kredimarrës të këqij. Nga 18.3 për qind që janë klasifikuar si kredimarrës të këqij, rreth 5.5 për qind janë me të vërtetë të tillë, pasi kanë shfaqur vonesa mbi 6 muaj dhe janë vendosur në procedurën e bllokimit dhe likuidimit të kolateralit. Disa shoqata biznesi kanë deklaruar në të shkuarën se shumica e kredimarrësve të këqij janë individë dhe se bankat duhet të vijojnë të kreditojnë biznesin. Në fakt, shumica e kredimarrësve janë individë, por kreditë e tyre janë shumë të vogla për të pasur peshë në bilanc.
 
Monedhat

Kreditë në valutë kanë pothuajse njësoj probabilitet të kthehen në kredi me vonesa si ato në lekë. Të dhënat tregojnë se në vitin 2011, 17.3 për qind e kredive të dhëna në lekë dhe 18.8 për qind e atyre në valutë qenë me vonesa. Por në vitin 2010, kreditë e këqija në lekë qenë më shumë se sa ato në valutë. Prej vitesh, shqiptarët janë nxitur të marrin kredi në monedhën kombëtare, në mënyrë që të shmangin rrezikun e kursit të këmbimit, ndërkohë që duke qenë se mbi 60 për qind e kredive janë aktualisht në valutë, Banka e Shqipërisë ka humbur një armë që mund të përdoret në rast të një krize.

Por kreditë në lekë kanë interesa shumë më të larta se ato në valutë, gjë që i ka shtyrë shumë kredimarrës të provojnë fatin dhe të rrezikojnë, duke marrë kredi në valutë, pavarësisht se i kanë të ardhurat në lekë. Leku shqiptar u zhvlerësua me 10-12 për qind në vitin 2009, për shkak të stimulit monetar të dhënë nga Banka e Shqipërisë për bankat e nivelit të dytë. Shumica e kredimarrësve panë se si kostoja e kredive të tyre u rrit ndjeshëm brenda pak muajve, por kjo gjë nuk u shoqërua me rritje të kredive të këqija në valutë. Përkundrazi, kreditë në lekë patën tendencë më të madhe të përfundonin në kategorinë e kredive të këqija se sa ato në valutë gjatë viteve 2009 dhe 2010.

Bizneset dhe individët në Shqipëri kanë marrë nga bankat rreth 550 miliardë lekë kredi (rreth 4 miliardë euro). Rreth 72 për qind e kredive është tërhequr nga bizneset, ndërsa pjesa tjetër nga individët. Shumica dërrmuese e kredisë së tërhequr nga bizneset përdoret për kapital qarkullues, ndërsa një pjesë e vogël përfundon për investime. Për individët, shumica dërrmuese e kredisë ka për destinacion blerjen e apartamenteve dhe një pjesë e vogël përdoret për konsum, apo për financim biznesi të vogël.

Top Channel