Irak, 50 të vdekur në një seri atentatesh

23/02/2012 08:45

Të paktën 50 persona janë vrarë dhe disa dhjetra të tjerë janë plagosur në një valë shpërthimesh dhe të shtënash të regjistruara në Bagdad.

Autoritetet lokale kanë deklaruar se sulmet kishin si objektiv agjentët e policisë. Nëntë persona mbetën të vrarë në sulmin më të keq, ai në lagjen qendrore të Karradës, e banuar kryesisht nga shiitë.

Shpërthimi, pranë një postoblloku policie, tronditi ndërtesat dhe dëmtoi dyqanet. Deri tani asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për atentatet. Sulmet e organizuara në Irak janë rritur që kur trupat amerikane nisën tërheqjen në muajin dhjetor.

Ndërkohë, në sulme të tjera të ndodhura të enjten, gjashtë persona u vranë nga një autobombë në lagjen Al Kadhimija, në veri të Bagdadit, ndërsa në Sarafija persona të armatosur vranë gjashtë persona pranë një stacioni policie.

Javën e kaluar, të paktën 18 persona u vranë në një atentat vetëvrasës në afërsi të akademisë irakene të policisë në kryeqytet. Autoritetet druhen se numri i vdekjeve nga atentatet e së enjtes mund të rritet.

Gjithashtu, qarkullojnë lajme për atentate me bombë në provincën e Salahudinit, Dijalasë dhe Kirkukut. Kryeqendra e provincës së Salahudinit është Tikriti, vendlindja e ish-liderit Saddam Hussein që u ekzekutua në vitin 2006.

Atentatet kundër banorëve shiitë janë shtuar që kur kryeministri shiit Nouri al Maliki doli kundër disa eksponentëve të njohur bllokut politik sunit Irakija. 

Top Channel