Lamtumirë Feti Vogli!

24/02/2012 00:00

Arkivoli me trupin e pajetë të kapiten Feti Voglit mbërriti në Pallatin
e Kongreseve në orën 11.00, për homazhe, në hollin e këtij pallati.

Kapiten Feti Vogli humbi jetën në Kandahar të Afganistanit, ku gjatë një shkëmbimi zjarri u plagosën edhe dy ushtarakë të tjerë, nëntetar Aleksandër Peci dhe një ushtarak amerikan.

Në homazhe i pari mbërriti ministri i mbrojtjes Arben Imami. Fill pas tij, shefi i shtabit të përgjithshëm Xhemal Gjunkshi.

Një sërë oficerësh të lartë të ushtrisë shqiptare parakaluan përpara arkivolit me trupin e pajetë, por edhe efektivë të forcave të ndryshme të ushtrisë, kolegë, personalitete të jetës politike e fetare, qytetarë të ndryshëm.

Në orën 13.00 trupi i pajetë, i mbajtur nga ushtarakë me uniforma ceremoniale dhe i mbështjellë me flamurin kombëtar, la hollin e Pallatit të Kongreseve, për t’u mbështetur mbi një shtrat topi.

“Kapiten Vogli u sakrifikua në altarin e lirisë për vendin e tij, në betejën për vlerat më të mëdha njerëzore. Ai dha një kontribut të madh si përfaqësues i shtetit shqiptar në luftën për paqen dhe sigurinë në botë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, deklaroi gjeneral Gjunkishi.

Në varrezat e dëshmorëve, emri i kapiten Voglit u thirr 3 herë nga komandanti i batalionit të operacioneve speciale Dritan Demiri, në një ceremoni të dhimbshme, që njihet si ceremonia e apelit të fundit.

Flamuri që mbulonte arkivolin me trupin e pajetë, i mbështjellë, iu dorëzua babait të kapitenit të vrarë.

Nën shoqërinë e bandës së ushtarake, efektivët e batalionit të operacioneve speciale ku bente pjesë kapiten Feti Vogli e mbajtën trupin e shokut në krah deri në banesën e fundit.

Feti Vogli u
shpall Dëshmor i Atdheut dhe Presidenti i Republikës i dha atij “Medaljen e
Artë të Shqiponjës”. Trupi i tij mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza”
rreth orës 03:00 të mëngjesit të ditës së premtes, i mbuluar me flamurin kombëtar.

Top Channel