PS: Privatizim klubeve të futbollit

24/02/2012 18:25

Partia Socialiste ka prezantuar pasditen e së premtes strategjinë e saj për zhvillimin e sportit shqiptar, të hartuar në kuadër të programit të opozitës “Për një rilindje shqiptare”.

Fjalën i pari e ka marrë deputeti Fidel Ylli, figurë e njohur e sportit shqiptar, i cili në mënyrë të veçantë e ka vënë theksin tek privatizimi i klubeve të futbollit.

“Pikë e programit tonë do të jetë privatizimi i klubeve sportive. Do t’i japim klubit një status që nuk e ka. Klubet Dinamo, Partizani e Studenti varen nga ministria, kurse të tjerët nga bashkia. Këtu ka një kakofoni pasi presidentin e klubit e zgjedh bashkia. Edhe terrenet sportive t’i jepen privatit, në mënyrë që të ketë mundësi për investime”, ka deklaruar Ylli.

Një tjetër pikë e rëndësishme e prekur nga deputeti socialist ka qenë investimi në infrastrukturën sportive, që sipas tij deri më sot është lënë në mëshirë të fatit, si dhe rritja e pranisë së sportit në arsim.

“Terrenet sportive jo vetëm janë ndërtuar, por edhe ato që ishin janë shkatërruar. Si klubi Partizani, që ka bërë histori në Shqipëri. Ne do ta ndalojmë këtë shkatërrim që është bërë deri tani. Sportistët duan kushte, palestra, etj, në mënyrë që të arrijnë ato standarte ku është evropa. Do punojmë edhe për sportin në shkolla e madje edhe në kopshte e deri në universitete”, ka theksuar Ylli.

Më tej, ai ka prezantuar projekte për investime edhe në zonat malore, për ndërtimin e pistave për ski, në mënyrë që shqiptarët të mos shkojnë gjithmonë në vendet fqinje dhe që evropianët të vijnë në Shqipëri.

Më pas fjalën e ka marrë kryetari i PS, Edi Rama, i cili e ka vënë theksin tek harresa që qeveria i ka bërë sportit shqiptar, nga i cili sipas tij mund të dalin shumë talente.

Rama ka vlerësuar se sporti shqiptar ka nevojë për investime konkrete, duke premtuar se kjo gjë do të jetë prioritet i qeverisjes së ardhshme të tij.

Më tej, duke iu referuar largimit të sportistëve shqiptarë në vendet e tjera, kreu i PS ka theksuar se, “tradhtarët” e vërtetë janë ata që nuk i kanë kthyer qëllimisht sytë nga sporti, për shkak të interesave korruptive.

Top Channel