Sheshohet rezidenca e Bin Laden

25/02/2012 18:25

Kur duhen edhe pak muaj nga 1-vjetori i vrasjes së Osama Bin Laden nga forcat special amerikane, autoritetet pakistaneze po mundohen “të zhdukin” cdo gjurmë të tij në qytetin e Abotabadit.

Ushtria dhe forca të tjera të sigurisë ndërmorën aksionin e prishjes së rezidencës së themeluesit të organizatës terroriste, Al Kaeda në këtë qytet. Një buldozer pasi shkatërroi muret rrethuese të kompleksit, nisi prishjen e ndërtesës, një vilë 2 katëshe mjaft pranë një reparti special të ushtrisë pakistaneze ku Bin Laden mendohet se është strehuar për vite me radhë duke i shpëtuar urdhër-arrestit të SHBA-së.

Rezidenca mbahet e rrethuar nga ushtria dhe autoritetet nuk lejojnë hyrjen e civilëve në këtë zonë. Gjithashtu është vendosur edhe një sistem ndricimi për të mundësuar vijimin e punës edhe natën, deri në shkatërrimin e plotë të shtëpisë.

Rezidenca është një kujtim “i dhimbshëm” për Pakistanin, autoritetet e të cilit u vunë në siklet përballë popullit dhe opinionit publik vendas nga sulmi i njëanëshëm amerikan në maj të vitit të kaluar që çoi në vrasjen e Osama Bin Laden.

Bin Laden u ekzekutua nga forcat “Seal 6”, pjesë e forcave speciale elitare amerikane, të cilët në datën 1 maj, pas sigurimit të informacionit për vendndodhjen e personit më të kërkuar nga SHBA në ato momente, ndërmori një operacion blitz. Rezultati: Bin Laden u vra, Seal Team Six transportoi trupin e pajetë drejt një anije luftarake amerikane, ndërkohë që në operacion humbi një helikopter për shkaqe avarie teknike.

Top Channel