Drejtuesit e Aleancës Kuq e Zi kanë nisur organizimin e kësaj lëvizjeje që shpejt do të kthehet në një parti politike.

Në qytetin e Durrësit, drejtuesi i kësaj lëvizjeje, Kreshnik Spahiu, ka shpërthyer ashpër ndaj kryeministrit Berisha duke thënë se ky është dimri i fundit i tij dhe se Partia Demokratike shpejt do të jetë në minorancë.

Spahiu tha se kishte një mesazh për kryeministrin: “Fati yt dhe i partisë tënde bolshevike është minoranca! Ky është dimri i fundit për Sali Berishën!”

Me tone të forta nacionaliste kundër disa nismave të qeverisë, Kreshnik Spahiu e ka cilësuar qeverinë dhe kryeministrin si të shitur tek mafia.

Duke u ndalur veçanërisht në qytetin e Durrësit, Spahiu tha se ky qytet është i shkatërruar dhe i braktisur: “Jemi patriotë, por dëshirojmë që në Durrës të vijnë turistë grekë, maqedonas, bullgarë dhe serbë, por nuk mund të pranojmë që klanet serbo-boshnjake të bëjnë këtu rafineri nafte dhe ta bëjnë Durrësin tonë qytet të pabanueshëm dhe të dëmtojnë jetën e fëmijëve tanë. Qeveria antishqiptare e Berishës realizoi ëndrrën e Serbisë për daljë në bregdet.”

Aleanca Kuq e Zi do të vijojë edhe në qytete të tjera serinë e takimeve si dhe anëtarësimin e atyre që duan të hyjnë në këtë lëvizje të re.

Në muajin maj Spahiu bëri të ditur se do të mbahet kuvendi i kësaj lëvizjeje që tha se duhet bërë në stadiumin kombëtar sepse asnjë sallë nuk mund të mbajë anëtarët e shumtë të kësaj lëvizjeje.

Top Channel