SHBA: Lufta kundër drogës, jo e dështuar

28/02/2012 10:00

Sekretarja amerikane për Sigurinë e Brendshme, Janet Napolitano ka mbrojtur politikën e Uashingtonit në luftën kundër drogës.

Zonja Napolitano tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i japin asistencë vendeve të Amerikës Latine në luftën kundër prodhimit dhe trafikut të narkotikëve.

Ajo theksoi se Amerika do të japë gjithashtu ndihmën e saj në kërkimin e Joaquin “El Chapo” Guzman, trafikanti i drogës më i kërkuar në Meskikë. Ajo i krahasoi kërkimet për të me ato 10-vjeçare për Osama bin Laden.

Në një konferencë për shtyp me ministrin e Brendshëm meksikan, Alejandro Poire, zonja Napolitano u pyet përse kreu i kartelit të Sinaloas vazhdon të jetë në arrati për një kohë kaq të gjatë.

“Na u dëshën 10 vjet për të gjetur Osama bin Laden dhe e gjetëm. Ju e dini se çfarë ndodhi atje. Unë nuk po sugjeroj se e njëjta gjë do të ndodhë me Guzman, por them se ne jemi të vendosur kur bëhet fjalë për cënimin e sigurisë së dy vendeve”, nënvizoi Napolitano.

Karteli i Sinaloas i drejtuar nga Guzman, që konsiderohet si organizata më e fuqishme në trafikun e drogës në Hemisferën Perëndimore, transporton sasi të mëdha kokaine, metamfetamine dhe marijuane në Shtetet e Bashkuara.

Ai u arrestua dhe u fut në burg në vitin 1993, por u arratis 8 vjet më vonë. SHBA kanë ofruar 5 milionë dollarë shpërblim për këdo që çon në kapjen e tij.

Top Channel