Bërthamoret, Koreja e Veriut vë moratoriumin

29/02/2012 17:10

Koreja e Veriut ka rënë dakord për të ndërprerë pasurimin e uraniumit, si dhe testet e raketave bërthamore me rreze të gjatë veprimi, kanë njoftuar zyrtarë vendas dhe amerikanë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar gjithashtu se Veriu ka pranuar të lejojë inspektorë të OKB-së për të monitoruar reaktorin e saj, për të verifikuar përmbushjen e angazhimeve.

Në shkëmbim, Uashingtoni do t’i sigurojë Penianit rreth 240 mijë tonelata ushqimesh në formë ndihme.

Vendimi në fjalë vjen pas bisedimeve të zhvilluara mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut në Pekin javën e kaluar.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se lëvizja mund të hapë rrugën për rifillimin e bisedimeve 6-palëshe për çarmatimin bërthamor, që u ndërprenë në vitin 2009.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë shqetësime përsa i përket sjelljes së Koresë së Veriut përsa i përket një sërë fushash, por lajmi i sotëm tregon një progres të rëndësishëm për zgjidhjen e disa prej këtyre problemeve”, deklaroi zëdhënësja e DASH, Victoria Nuland.

Ndërkohë, vetë sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton e cilësoi vendimin si “një hap modest në drejtimin e duhur”.

Ajo tha se SHBA do të vazhdojë ta mbikëqyrë nga afër Penianin dhe do të gjykojë liderët e rinj koreano-veriorë në bazë të veprimeve të tyre.

Vetë Koreja e Veriut e konfirmoi vendimin për vendosjen e moratoriumit përmes një deklarate për shtyp të dërguar në mediat vendase.

Deklarata, e cituar nga agjencia e lajmeve KCNA, thotë se, “masat synojnë të ngrenë mirëbesimin mes dy vendeve, me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve, ndërkohë që bisedimet do të vazhdojnë”.

Top Channel