James Murdoch dorëhiqet nga “NI”

29/02/2012 17:30

James Murdoch, i biri i manjatit të mediave Rupert, ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit ekzekutiv të News International, kompania që zotëron gazetat “The Sun” dhe të tjerat që mbajnë titullin “Times”.

Botuesi i gazetës ka qenë në shënjestër të sulmeve dhe presioneve për shkak të përfshirjes në skandalin e përgjimeve telefonike.

Skandali në fjalë bëri që kompania të mbyllte gazetën e saj “News of the World” në korrik të vitit të kaluar.

Megjithatë, zoti Murdoch do të mbetet nëndrejtor i operacioneve për grupin tjetër mediatik News Corporation, të drejtuar nga i ati Rupert.

“E vlerësoj jashtë mase dedikimin e shumë kolegëve të talentuar të News International, që punuan pa u lodhur për të informuar publikun”, deklaroi 39-vjeçari.

Ai shtoi se lançimi i një edicioni të ri të “The Sun” ditën e diel dhe politikat e reja të biznesit e vendosin kompaninë në një pozitë solide për të ardhmen.

Vitin e kaluar James Murdoch u paraqit dy herë përpara komisionit për Kulturën, Median dhe Sportin të Parlamentit britanik, për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me skandalin e përgjimeve.

Rupert Murdoch, president dhe drejtor ekzekutiv i News Corporation, shoqëroi të birin në një prej seancave dëgjimore.

Paul Conney, një nëndrejtor i vjetër i “News of the World”, deklaroi se nuk ka mbetur i habitur nga tërheqja e të riut Murdoch. “Mendoj se këtu duhen parë gjëra të tjera më të mëdha”, tha Conney.

Ndërkohë, përveç skandalit të përgjimeve, një skandal ryshfetesh nga News International bëri që pak kohë më parë në Britani të arrestoheshin 5 gazetarë të “The Sun”.

Top Channel