Fule: Plotësoni 12 rekomandimet

01/03/2012 00:00

Pas takimit me Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, Komisioneri Stefan Fule renditi në një komunikatë për shtyp mesazhet kryesore të përcjella gjatë drekës së punës që zhvilluan në Bruksel.

Fule ka lavdëruar fillimisht hapat pozitive të muajve të fundit, për përforcimin e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës në kuadër të reformave institucionale.

“Një dialog konstruktiv politik do të garantojë që Shqipëria po jep rezultate konkrete në zbatimin e marrëveshjes politike të nëntorit të kaluar, veçanërisht në lidhje me reformën zgjedhore dhe reformën për regulloren e paralamentit. Shqipëria duhet të vijojë progresin në përmbushjen e 12 kritereve, me theks të veçantë në krijimin e provave të besueshme në fushat e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit”, nënvizon Komisioneri në një komunikatë për shtyp.

Pasi përsërit se vendi gëzon angazhimin dhe mbështetjen e plotë të Komisionit, Fule fton Shqipërinë të përqëndrohet tek reformat gjithëpërfshirëse, të nevojshme për integrimin.

“Dua ta theksoj sërish, se që vendi të shënojë sukses në axhendën europiane, është e rëndësishme që kjo të kthehet në një axhendë kombëtare, për qeverinë, për opozitën dhe për shoqërinë civile. Një process me të vërtetë gjithpërfshirës është kyç për suksesin e Shqipërisë në përpjekjet e saj për reforma”, përfundon Komisioneri.

Haxhinasto: Statusi ndoshta në vjeshtë

Në deklaratën e tij, Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhiansto tha se marrja e statusit mund të bëhet reale në vjeshtën e ardhshme.

“Mbështetja është shumë e qartë, është mbështetje e vazhdueshme, por mendoj se mesazhi kryesor nga Komisioneri Fyle është që mundësitë janë aty. Mundësia e marrjes së statusit kandidat në Vjeshtë të këtij viti, është më reale se kurrë. Për këtë kemi nevojë të fokusohemi tek prioritetet  së pari, pra tek ato prioritete që janë identifikuar tashmë si i kyçe për të avancuar reformat tona, flas për reformën zgjedhore, flas për reformën e proçedurave parlamentare, flas dhe për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Së dyti, duhet që ky proçes të marrë një shpejtësi tjetër, pasi është e natyrshme që koha kalon dhe duhen arritur rezultate konkrete nga këto reforma”, u shpreh Ministri i Jashtëm, Haxhinasto.

Përgatiti: Arta Tozaj 

Top Channel