Integrimi, Mcllwham: Çështje kombëtare

06/03/2012 00:00

Vetëm pak ditë para largimit të saj nga Shqipëria, ambasadorja e
Mbretërisë së Bashkuar deklaron se procesi i integrimit të Shqipërisë
duhet parë si një projekt kombëtar dhe jo sa për të fituar votat.

Duke folur në gjuhën shqipe, Fiona Mcllwham theksoi se media luan një rol vendimtar jo vetëm në raportim por i jep formë politikave të zhvillimit në Europë.

Sipas saj procesi i integrimit të Shqipërisë, si dhe debati rreth tij, meritojnë dhe kërkojnë angazhimin e plotë të mediave në mënyrë që të ketë sukses.

“Progresi i Shqipërisë, siç e dimë nuk ka qenë aq i qetë dhe i shpejtë. Shqipëria ka marrë dy jo për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave. Për dallim Serbia, ku sipas sondazheve, entuziazmi është më i ulët, po vepron, po arrin rezultate dhe ka ecur përpara. Media ka një rol vendimtar për ta nënvizuar dhe ngushtuar këtë hendek. Eshtë jetike që media të mos raportojë vetëm titujt e vendimeve apo të përsërisë ose të aplikojë reagimet politike, por të analizojë, shpjegoje dhe informojë. Integrimi evropian është një projekt kombëtar. Nuk mund të bëhet përgjysmë ose sa për të fituar vota”, tha ambasadorja.

Në një tryezë për rolin e medias në procesin e integrimit, analisti Lutfi Dervishi thekson se ka ardhur ora e medias, jo vetëm për të raportuar, por për të hapur një debat e pse jo për të kërkuar llogari.Por nuk munguan edhe kritikat ndaj raportimit në media.

“Barazimi i procesit të integrimit me vizat është një gjë që nuk e nderon median. Integrimi nuk është kuptuar si një rrugë e gjatë e mundimshme që kërkon reforma të thella ekonomike, politike, sociale, një proces që do të ndryshojë, njëherë e përgjithmonë dhe për mirë gjithë vendin. Nuk është kuptuar ende si duhet se është një proces që fillon në Tiranë dhe përfundon në Bruksel dhe jo anasjelltas. Debati është jo të integrohemi se do të zhvillohemi, por të zhvillohemi pa të integrohemi”, tha Dervishi.

Ndersa Remzi Lani i konsideroi gazetaret si aktoret me te sinqerte ne ketë proces. Ne tryeze u vu theksi se shpejtesia e procesit te integrimit varet nga Tirana dhe jo nga Brukseli.

Top Channel