Zgjedhjet parlamentare, presidenciale dhe lokale në Serbi mund të mbahen më 22 prillin e ardhshëm, bëjnë të ditur mediat serbe.

Sipas së përditshmes “Dnevnik”, vendimi për datën e saktë nuk është marrë ende dhe çështja është në diskutim e sipër.

“Dnevnik” njofton se një nga opsionet është që zgjedhjet parlamentare, lokale dhe presidenciale të mbahen të gjitha në të njëjtën kohë.

Burimet e së përditshmes deklarojnë se vendimi përfundimtar do të merret brenda pak ditëve dhe shtojnë se 22 prilli mund të jetë data optimale.

Nëse zgjidhet ky opsion, Serbia mund të mbetet për një periudhë pa president, post ky që do të plotësohet përkohësisht nga kryetarja e Parlamentit Sllavisha Dukiç Dejanoviç.

Në këtë mënyrë, një socialist, edhe pse për pak kohë, do të drejtonte shtetin për herë të parë pas 10 vjetësh, shkruan “Dnevnik”.

Dejanoviç ka deklaruar se ende nuk e di se kur zgjedhjet presidenciale do të mbahen dhe nëse ato do të zhvillohen bashkë me ato parlamentare dhe vendore.

Mbajtja e tre proçeseve në të njëjtën kohë mund të justifikohet me koston më të ulët dhe me faktin se, nëse presidenti Boris Tadiç dorëhiqet, ai do të jetë personi që do të përmirësojë pozitën e Partisë Demokratike.

Zgjedhjet parlamentare, lokale dhe presidenciale u mbajtën në të njëjtën kohë në Serbi në vitet 1990, 1992 dhe 1997. Ekspertët besojnë se më shumë votues mund të marrin pjesë në to nëse mbahen të gjitha së bashku.

Top Channel