Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian u ka bërrë thirrje kreditorëve
privatë në Greqi që të nënshkruajnë një marrëveshje për shkëmbimin e
borxhit para skadimit të afatit më vonë gjatë së enjtes.

Komisioneri për Çështjet Ekonomike dhe Monetare, Olli Rehn deklaroi se nuk do të kishte ofertë më të mirë dhe se marrëveshja është jetike për stabilitetin financiar të eurozonës.

Greqisë i duhet që të paktën 75 për qind e mbajtësve të obligacioneve të bien dakord për të bërë një shkurtim prej 53 për qind të vlerës së bondeve të tyre.

Greqisë i duhet marrëveshja në fjalë për të marrë një ndihmë të dytë financiare. Ndihma nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar do të ketë një vlerë prej 130 miliardë eurosh.

“Është e rëndësishme që të gjithë investitorët të pranojnë se Evropa ka dhënë maksimumin e fondeve të mundshme për këtë shkëmbim borxhi dhe pjesëmarrja e kreditorëve është e nevojshme që programi grek të ecë përpara”, ka deklaruar Rehn.

Investitorët privatë kanë kohë deri të enjten mbrëma për të rënë dakord mbi shkëmbimin e borxhit për 260 miliardë euro në formë bondesh greke që ata zotërojnë.

Të mërkurën, Instituti i Financave Ndërkombëtare deklaroi se më pak se 40 për qind e kreditorëve privatë kishin rënë dakord për të bërë një gjë të tillë.

Kreditorëve po u kërkohet gjithashtu të pranojnë një normë më të ulët interesi dhe që t’i japin më shumë kohë qeverisë greke që t’i paguajë ata si këmbim.

Top Channel