Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, është optimist për një antarësim të shpejtë të vendit në Bashkimin Europian, pasi Beogradit iu dha statusi i vendit kandidat në fillimin e muajit.

Në një intervistë për të përditshmen serbe “Blic”, Tadiç shprehu besim për hedhjen e hapit të ri për vendin, atë të nisjes së bisedimeve për antarësimin, brenda 2012-s.

”Mendoj se Serbia e meritonte prej kohësh statusin e vendit kandidat, por tashmë objektivi ynë është nisja e bisedimeve të antarësimit brenda vitit 2012, çka do të përbënte një sukses të vërtetë për vendin. Është e qartë që kemi ende shumë punë për të bërë dhe duhet të çojmë përpara reformat, por procesi i antarësimit për Serbinë është tashmë i pandalshëm”, theksoi Tadiç.

Sipas tij, statusi i garanton Serbisë përfitime të menjëhershme, pasi përbën garancinë më të mirë për biznesin për të investuar në vend.

”Tashmë Serbia do të shihet me një sy më të favorshëm në qarqet e biznesit, çka është e rëndësishme për perspektivën tonë ekonomike.. Gjithashtu, ai i shërben shumë vendit në planin e imazhit”.

Në intervistën për “Blic”, presidenti konsideroi tërheqjen e fabrikave të “FIAT” në Serbi si një arritje të rëndësishme të qeverisë së tij. “Dërgimi në treg i Fiat 500L me shënimin “Made in Serbia” është një arritje e rëndësishme për vendin tonë, pasi do t’i ofrojmë tregut ndërkombëtar një produkt të sofistikuar dhe të një teknologjie të lartë. Serbia nuk ka patur sukses vetëm në krijimin e një atmosfere të favorshëm për të tërhequr në vend një prodhues të madh të automobilëve, por jemi treguar të aftë edhe për të rifilluar procesin tonë të prodhimit të pjesëve të makinave”, tha Tadiç.

Megjithatë, në intervistën e tij për “Blic”, Presidenti Serb nuk deshi të fliste për qëndrimin e Beogradit zyrtar ndaj Kosovës dhe as për shanset e vendit të tij për t’u antarësuar në BE, pa njohur më parë pavarësinë e shtetit të konsideruar nga Serbia formalisht ende si një provincë e vendit.

Top Channel